FIER- Krimi i pasionit në Fier, ku 31-vjeçari Drini Derveni ka shkuar deri në marrëzi, sa të vrasë me armë zjarri të dashurën e tij, e më pas të vetëvritet, duket se e ka nga pas një motiv të fortë. Të paktën kështu pohojnë për “BalkanWeb” burimet nga grupi hetimor i çështjes.

Dyshohet se shkak i ngjarjes makabre të jetë bërë një shtatzëni e mundshme e Ermirës, vajzës me të cilin Derveni kishte një lidhje jashtëmartesore. Burime zyrtare raportojnë për ‘BalkanWeb’ se ditën e hënë do t’u jepet përgjigje të gjithë dilemave, nëse Ermira Arapi ka qenë shtatzënë apo jo, pasi do të dalin dhe rezultatet e autopsisë. Bilanci tragjik i ngjarjes pritet të thellohet edhe më shumë nëse rezulton se Ermira, nënë e dy fëmijëve, të ketë qenë shtatzënë dhe të priste një fëmijë nga lidhja e asaj jashtëmartesore me Drinin.

Sot, pas këqyrjes së vendit të ngjarjes dhe të gjitha provave në vendin e krimit, hetuesit e çështjes rrëzuan të gjitha dyshimet nëse kishim të bënim me një vrasje apo jo. Pas verifikimit të provave, policia konfirmon se qëndron versioni i vrasjes se vajzës dhe vetëvrasjes më pas të 31-vjeçarit. Më herët ‘BalkanWeb’ mësoi se Drini Derveni ishte i martuar me vajzën e Angjelina Kola, ish-deputete e LSI. Dyshohet se viktimat kishin vite së bashku.
NGJARJA
Ngjarja e rëndë që tronditi dje Fierin dhe mbarë opinion publik ndodhi gjatë orëve të paradites. Ermira Arapi nga Lushnja, u gjet e vrarë bashkë me Drini Dervenin, në një makinë tip ‘Fuoristradë’ buzë rrugës në fshatin Shënpjetër të Fierit, raporton ‘BalkanWeb’.
Nga këqyrja e trupave të tyre, policia tha se dallohej qartë se 31-vjeçari pasi kishte qëlluar me armë të dashurën, ka vrarë edhe veten. Policia e gjeti atë me një pistoletë tip ‘TT’ në dorë dhe tha se ka qitje me puthitje në kokën e tij, që i shtyn hetuesit të besojnë që ai është autor i vrasjes së të resë, me të cilën ka pasur një lidhje jashtëmartesore. Pas këtij akti fieraku i ka dhënë fund edhe jetës së tij. Pritet të dalin të tjera detaje rreth ngjarjes që tronditi mbarë opinionin publik.
(ed.me/BalkanWeb)
