Ndërsa ministrja e Brendshme deklaroi se numri i vrasjeve është ulur dhe “në Shqipëri, në dy javë vritet vetëm një person”, statistikat e ngjarjeve kriminale të ndodhura në 20 ditët e fundit tregojnë një tjetër realitet shumë më të zymtë.

Nga përplasjet mes eksponentëve të krimit të organizuar, te personat e dënuar me disa vite burgim në mungesë, apo të rinj që lëvizin të armatosur, nga veriu në jug Shqipëria duket se është shndërruar në një arenë lufte mes të fortëve.

Nga data 22 tetor deri më 11 nëntor, janë shënuar të paktën shtatë viktima dhe dy persona të plagosur në ngjarje të ndryshme me armë zjarri, thika dhe eksploziv.

Capture
Capture

Vetëm më 22 tetor, dy të rinj u vranë në Manëz, ngjarje e ndodhur rreth 50 metra larg stacionit të policisë në këtë zonë.

Më 28 tetor, një valë ngjarjesh tronditi vendin:
Në Shkallnur të Durrësit, Marjan Kodheli vrau të atin.
Në Berat, konflikti për një kalë përfundoi me vrasje, ndërsa autori Kosta Mema i njohur ndryshe si Kostandin Hoxha ishte dënuar me 25 vite burgim në mungesë për një vrasje të kryer prej tij në vitin 1993, krim për të cilin nuk kishte bërë asnjë ditë burg.
Po të njëjtën ditë, në një lokal, një kuzhinier vrau kolegun e tij.

Ndërkohë, po më 28 tetor, në Shkodër, një atentat me tritol plagosi rëndë një person.

Më 1 nëntor në fshatin Gjorm të Vlorës një 36-vjeçar u ekzekutua me armë zjarri nga Bertil Alliaj, djali i xhaxhait të tij, i dënuar me 35 vite burgim në mungesë, për atentatin me 3 të vdekur në vitin 2015, ngjarje e njohur si “Masakra e Çoles”.

Më 11 nëntor, atentati mafioz në Rinas shtoi bilancin e dhunës.

Këto ngjarje e përgënjeshtrojnë drejtpërdrejt deklaratën e ministres, duke ngritur pikëpyetje serioze mbi transparencën e të dhënave që shpërndahen nga institucioni që ajo drejton.

Ndërsa qytetarët ndihen çdo ditë e më pak të sigurt, statistikat zyrtare vazhdojnë të vizatojnë një realitet virtual, që nuk përputhet me atë që ndodh në përditshmëri.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb