Nga: ENIDA HIMAJ*
TIRANE – Edhe pse shumë i ri në moshë, duket se e ka gjetur rrugën e suksesit herët. Bëhet fjalë për Kristoforin, një shqiptar që tashmë ka kontratë me “Dolca & Gabbana”-n. Në këtë intervistë ai na tregon sesi ia ka dalë të bëhet pjesë e një ‘brandi’ kaq të rëndësishëm.

Më tej ai rrëfen edhe marrëdhëniet që ka me dy stilistët e mirënjohur. Por, edhe pse ka një karrierë të suksesshme në Itali, nuk heq dorë nga vendi i tij, duke deklaruar se ka marrë shumë nga ky vend dhe pa diskutim që do të marrë një nuse shqiptare. Modestisht ai shprehet se e gjitha kjo i ka kushtuar shumë, pasi i janë dashur vite punë dhe vullnet për të arritur në pasarelat botërore.

Njiheni si një model i famshëm në pasarelat italiane, si nisi rrugëtimi juaj?
Ndoshta nuk jam edhe aq shumë i famshëm, duke e krahasuar veten me disa top-modelë, që janë të njohurit e mi. Të them të drejtën, nuk e mendoj në asnjë moment famën, thjesht duhet të vazhdoj në këtë rrugë. Kjo fushë ka qenë një nga prioritet e mia kryesore prej shumë vitesh dhe vetëm 6 muaj më përpara kam një kontratë me një nga agjencitë zyrtare të Milanos.

Sa i keni marrë Shqipërisë përgjatë karrierës suaj që vendosët të punonit jashtë?
Karriera ime si model ka filluar në vitet kur kam qenë student dhe aty vërtet kam filluar ta dua modelingun. Eksperiencat e ndryshme nëpër revista dhe sfilata më kanë ndihmuar në formimin tim si një model profesionist.

Kohët e fundit ju kemi parë në sfilatat e “Dolce & Gabbana”, si ju erdhi ftesa?
Në modeling nuk vijnë asnjëherë ftesa. Nuk ishte hera e parë që punoja për “Dolce & Gabbana”-n. Disa kohë më parë ishte katalogu i ri dhe kam pasur një provë, aty jam njohur në mënyrë të drejtpërdrejtë me dy stilistët e mirënjohur. Kam punuar me ata për disa punë. Për fashion week dhe drejtori i ‘D&G’ më ka pëlqyer. Çdo gjë shkoi shumë mirë.

I njihni nga afër gjigantët e modës, si sillen me ty?
Sigurisht që i njoh, sepse janë ata që organizojnë çdo gjë. Njihem personalisht si me Domenikon, ashtu edhe me Stefanon. Janë të dy të mrekullueshëm, prandaj ndoshta janë edhe më të mirët.

A ju ka zhgënjyer Shqipëria?
Shqipëria s’më ka zhgënjyer. Në Shqipëri u formova si person në çdo aspekt.

Si janë marrëdhëniet me femrat, a keni më sukses tani që jeni në sfilatat ndërkombëtare?
Të them të drejtën, nuk kam shumë kohë të lirë të dal. Mendoj vetëm të bëjë mirë punën time në modeling.

Mendoni për një femër shqiptare si bashkëshorte, apo të huaj?
Padyshim që gocat shqiptare, janë më të mirat në botë.

Shpesh paragjykohet se modelët kanë prirje të ndryshme seksuale, si i shikoni këto paragjykime, ju vetë keni miq gay?
Paragjykimet janë të kota. Një temë që s’ka sens diskutimi. Gjithsecili është i lirë të bëjë ç’të dojë me jetën e vet.

Jeni tip i marrëdhënieve stabël, apo preferoni “one night stand”?

Normalisht stabiliteti është shumë i rëndësishëm si për një lidhje, ashtu edhe në çdo pjesë të jetës.
Më seksi femrat shqiptare apo italiane?

Femrat shqiptare, e thashë edhe pak më parë, janë super. Ndërsa për italianet nuk flas dot shumë, pasi më së shumti punoj me të huaja, jo italiane.

A do të pozonit nudo për një shumë të majme?
Kjo çështja e pozimit nudo ka shumë diskutime. Për momentin s’e kam çuar asnjëherë në mend. Faktikisht më pëlqen më shumë i veshur. Duhet ta bësh diçka nëse e ndjen, në të kundërt mos e bëj fare.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb