Analisti Ergys Mërtiri ka sjellë një analizë lidhur me situatën politike në PD, duke bërë edhe një panoramë për zgjedhjet për kryetar.

Në analizën e tij Mërtiri thotë se vetëm kur janë pak orë nga mbyllja e afatit për regjistrimin e kandidatëve për kreun e PD, kanë dalë edhe kriteret e kandidimit që sipas tij përcaktojnë përjashtimin e Salianjit.

Më tej shton se Berisha e di që nuk e vetpërjashton dot Salianjin, pasi do ti duhet të përballet në gjyq, ku e di që humbet.

“Për këtë arsye i është dashur të gjejë një mekanizëm të tillë për tu mbrojtur ligjërisht”, shprehet Mërtiri.

Reagimi i plotë;

Berisha është bërë për t’iu dhimbs gurit e drurit

Kur kanë mbetur vetëm pak orë nga mbyllja e afatit për regjistrimin e kandidatëve për kreun e PD-së, dalin kriteret e kandidimit, të cilat përcaktojnë përjashtimin e Salianjit. Sipas njoftimit zyrtar të publikuar vetëm sot pasdite, nuk do lejohet të kandidojë kushdo që ka një dënim të formës së prerë.

Pasi e shpalli të vetëpërjashtuar si bashkëpunëtor me Edi Ramën dhe një sërë grupesh kriminale, Berisha vendos ta pezullojë Salianjin me motivimin se e ka dënuar Edi Rama.

Deri disa muaj më parë thoshte se Salianji po bën burg politik me urdhër të Edi Ramës. Sot dënimi me urdhër të Edi Ramës bëhet arsye për tu përjashtuar nga kandidimi! Dhe këtë e përcakton dikush që, sipas statutit që ka hartuar vetë me dorën e tij, nuk mund të kandidojë kategorikisht.

Statuti përcakton prerë dhe pa diskutim se Kryetari që nuk arrin të marrë pushtetin në zgjedhje largohet automatikisht nga kreu i partisë dhe nuk lejohet të kandidojë më. Berisha pretendon se zgjedhjet ia vodhën dhe nuk i humbi (ndërkohë që për statutin kjo nuk ka pikë rëndësie), kurse Salianji që gjithashtu (sipas tij) e kanë dënuar politikisht me falsifikimet e Ramës, e për të cilën statuti nuk ka asnjë pengesë, nuk mund të kandidojë!

Situata dramatike e qesharake e PD-së është se, në krizën e saj më të thellë, po shkon në zgjedhje pa garë. Në një kohë kur të gjithë e dinë që kryetari akatual nuk vjen dot në pushtet, nuk del askush ta rivalizojë. Dhe kur, më në fund del dikush që vendos të futet në garë, e pengojnë dhe lejojnë në garë vetëm atë që statuti nuk e lejon të kandidojë! Duket se gjithçka është mbrapsht për turp e faqe të zezë.

Problemi është se Berisha e di që nuk e vetpërjashton dot Salianjin, pasi do ti duhet të përballet në gjyq, ku e di që humbet. Për këtë arsye i është dashur të gjejë një mekanizëm të tillë për tu mbrojtur ligjërisht.

Duhet të jesh në hall shumë të madh të bësh veprime kaq flagrante, kaq qesharake e në mënyrë kaq të shëmtuar në këtë moshë!

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb