BBC-ja thotë se Gary Lineker do të kthehet në transmetim, pasi anuloi pezullimin e ish-futbollistit, për shkak të një postim në Twitter ku ai kritikonte politikën e re të emigracionit të qeverisë britanike.

Reagimi vjen pas një fundjave kaosi dhe krize për transmetuesin kombëtar britanik të financuar nga publiku, i cili u përball me një reagim të madh pasi pezulloi një nga gazetarët e tij më të njohur për shprehjen e një opinioni politik.

“Gary është një pjesëtar i çmuar i BBC-së dhe unë e di se sa e rëndësishme është BBC-ja për Gary-n dhe mezi pres që ai të rifillojë transmetimin këtë fundjavë”, tha drejtori i përgjithshëm i BBC-së, Tim Davie.

Zoti Lineker tha se ai ishte “i kënaqur që u gjet një zgjidhje”.

Gary Lineker, një nga lojtarët më të njohur të futbollit anglez dhe prezantuesi më i paguar televiziv i BBC, u pezullua të premten, pasi ai e cilësoi planin e qeverisë për të ndaluar dhe deportuar emigrantët që mbërrinin me varka si “një politikë jashtëzakonisht mizore ndaj njerëzve më të pambrojtur, me një gjuhë që nuk ndryshonte nga ajo e përdorur nga Gjermania në vitet ’30.”

Qeveria konservatore e quajti fyes dhe të papranueshëm krahasimin nazist të Lineker-it dhe disa ligjvënës thanë se BBC-ja duhet ta ndërpriste kontratën e tij. BBC tha të premten se zoti Lineker do të “tërhiqej” derisa të pranonte t’i mbante postimet e tij në Tweeter brenda rregullave të paanësisë së BBC-së.

Por kritikët e akuzuan BBC për shtypjen e lirisë së fjalës dhe BBC-ja u detyrua të heqë pjesën më të madhe të programeve sportive të fundjavës, pasi komentuesit, analistët dhe lojtarët e Premier League refuzuan të merrnin pjesë në shenjë mbështetjeje për zotin Lineker.

Emisioni kryesor i futbollit “Ndeshja e ditës” u reduktua nga 90 minutat e zakonshme me momentet kryesore dhe analizat e ndeshjeve, në një përmbledhje 20-minutëshe të klipeve nga ndeshjet pa komente apo analiza. Emisionet e tjera televizive dhe radiofonike të futbollit, po ashtu nuk u transmetuan të shtunën dhe të dielën pasi bojkoti u përhap.

Zoti Davie këmbënguli të hënën se BBC-ja “bëri gjënë e duhur” duke pezulluar zotin Lineker, por tani do të ketë një rishikim të pavarur të rregullave të mediave sociale të BBC-së për të sqaruar të ashtuquajturat “zona gri” në udhëzime.

“Nga tani e deri kur të raportohet rishikimi, Gary do t’i përmbahet udhëzimeve editoriale,” tha ai.

Polemika që shpërtheu, pasqyron natyrën dalluese të mediave në Mbretërinë e Bashkuar, ku gazetat përmbajnë më shumë opinione, ndërsa televizioneve u kërkohet të jenë më të balancuar – veçanërisht BBC-ja, që financohet nga publiku dhe e ka për detyrë të jetë e paanshme.

Kriza ishte një ilustrim dramatik i presioneve me të cilat ballafaqohej prej kohësh BBC-ja 100-vjeçare në një botë gjithnjë e më të polarizuar politike dhe mediatike. Të djathtët shpesh ndiejnë një anim majtist në lajmet e BBC-së, ndërsa disa liberalë, e akuzojnë atë për një paragjykim konservator.

Politikanët e opozitës akuzojnë qeverinë për ndërhyrje politike në BBC, duke emëruar drejtues miqësore ndaj konservatorëve. Zoti Davie ka qënë kandidat konservator për qeverisjen vendore. Kryetari i BBC-së, Richard Sharp, është një donator i Partisë Konservatore, i cili ndihmoi në sigurimin e një kredie për kryeministrin e atëhershëm Boris Johnson në vitin 2021, disa javë përpara se zoti Sharp të emërohej në postin e BBC-së me rekomandimin e qeverisë.

Konservatorët gjithashtu sugjerojnë periodikisht ndryshimin e modelit të financimit të BBC-së. Një pjesë e madhe e buxhetit të BBC-së, sigurohet nga një taksë që paguajnë gjithë familjet që kanë televizor.

Zëdhënësja e kulturës dhe medias e Partisë Laburiste të opozitës, Lucy Powell, tha se konservatorët “kanë dashur prej kohësh të minojnë BBC-në”.

“Ashtu si rishikimi i udhëzimeve të mediave sociale të BBC-së, kjo sagë duhet ta shtyjë qeverinë të shqyrtojë se si të mbrojë dhe promovojë një BBC vërtetë të pavarur dhe të paanshme”, tha ajo.

Si pjesë e angazhimit për paanshmëri, BBC-ja i ndalon gjithë punonjësit e sektorit të lajmeve të shprehin opinione politike.

Zoti Lineker, si një profesionist i pavarur, që nuk punon në lajme, nuk është i detyruar të ndjekë të njëjtat rregulla dhe ndonjëherë e ka kapërcyer cakun e asaj që BBC-ja e konsideron të pranueshme. Vitin e kaluar, BBC-ja zbuloi se zoti Lineker kishte shkelur rregullat e paanshmërisë me një postim në Twitter rreth donacioneve të supozuara ruse për konservatorët.

Zoti Davie tha se BBC-ja “ka një angazhim për paanshmëri në Kartën e saj”, si dhe një angazhim për lirinë e shprehjes.

“Ky veprim balancimi është i vështirë për tu arritur, kur njerëzit janë subjekt i kontratave të ndryshme dhe pozicioneve të ndryshme, me profile të ndryshme të audiencës dhe mediave sociale”, tha ai.

Zoti Lineker tha se kishin qenë “disa ditë të çuditshme” dhe falënderoi kolegët për mbështetjen e tyre.

“Një mendim i fundit: sado të vështira të kenë qenë ditët e fundit, thjesht nuk krahasohen me nevojën për të ikur nga shtëpia jote, nga persekutimi, ose lufta për të kërkuar strehim në një vend të largët,” shkroi ai në Twitter. “Është prekëse ndjeshmëria që vura re ndaj gjendjes së tyre të vështirë, nga shumë prej jush”./VOA/

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: