Gentiana Sula, Drejtuesja e Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, e ftuar në Log. në News24, për të diskutuar për temën “Kriza e ambasadave dhe pluralizmi politik”, u shpreh se pavarësisht se Sigurimi i Shtetit informohej dhe mblidhte informacione, nuk e dinte që më 2 korrik do të shpërthenin ambasadat.
Sipas Sulës, Sigurimi i Shtetit dinte se çfarë po ndodhte në Evropën Lindore dhe atë Qendrore, por nuk arriti të parashikonte që shumë shpejt do të hapeshin ambasadat më 2 korrik, pavarësisht se kishte një lloj pakënaqësie dhe disa precedentë me kalimin e kufirit.
Gentiana Sula: “Ka shumë materiale në lidhje me 2 korrikun 1990, kur u hapën ambasadat. E para, a dinte Sigurimi i Shtetit se çfarë po ndodhte në Evropën Lindore dhe Qendrore, në vende si Hungaria apo Polonia? Janë mbi 100 faqe ku flitet mbi krizën e refugjatëve në Hungari. Rënia e pushtetit agresiv të Bashkimit Sovjetik, çoi në fillimin e një lloj liberalizimi, së pari mes dy Gjermanive, dhe më pas mes Austrisë dhe Hungarisë. Ka goxha ngjarje që sigurimsat tremben dhe ato i shikojnë. Hapja e Shqipërisë përmblidhet kryesisht nëpërmjet publikimeve të mediave ndërkombëtare.
Më pas u ndryshua kodi penal për kalimin e kufirit dhe më pas dhënia e pasaportës për herë të parë, pasi më parë jepej vetëm për ata që dilnin jashtë shtetit, sigurisht për ata që kishin detyra të rëndësishme. Gjuha e përdorur nga Sigurimi i Shtetit krahasuar me mediat e huaja, përfshi Zërin e Amerikës kishte kontrast të thellë. Mediat ndërkombëtare shkruanin për disidentë, të pakënaqur. Shpërthimi i ambasadave më 2 korrik, që Sigurimi i Shtetit e ka pritur, nuk më rezulton në dosjet. Janë 15 mijë tentativa kalimi kufiri para 2 korrikut.”
(BalkanWeb)
