Nis këtë të mërkurë në Pallatin e Kongreseve, Panairi i 28-të i Librit në Tiranë. Kreu i shoqatës së botuesëvee, në një konferencë për mediat ka folur për krizë librash.
“Ndërgjegjja jonë ka nevojë për librat”. Një shprehje e shkrimtarit të madh, Ismail Kadare, shërben si mesazh grishës në festën e librit, përmes ngjarjes më të madhe vjetore që bashkon shkrimtarë, përkthyes e studiues. Panairi i 28-të i Librit në Tiranë nis të mërkurën në Pallatin e Kongreseve. Kreu i shoqatës së botuesve, në një konferencë për mediat renditi problemet, duke folur për ulje të numrit të librave të rinj, biblioteka e librari bosh dhe buxhete të papërfillshme.
“Para disa ditësh ne i drejtuam shtëpive botuese një pyetësor ku i pyetëm se sa libra të rinj kanë në panair. Ka shtëpi botuese me asnjë libër të ri, që janë prej vitesh në panair, ka që kanë 1- 2 tituj të rinj, ka me 5-6, ka edhe pak që botojnë 20-30-40 tituj, pra ka rënë numri i botimeve dhe cilësia e botimeve”, the Petrit Ymeri.
Sipas tij, kjo lidhet shumë me buxhetet e papërfillshme dhe me investimin e shtetit në këtë lami të kulturës, ndryshe nga Kosova.
“Ka botues të Kosovës që e kanë zgjeruar spektrin e tyre të botimit dhe na konkurrojnë me nivel të mirë. 1.5 milionë euro ose 2 milionë euro që ju jep qeveria në Kosovë, që shkojnë për përkthime, pagesën e të drejtave të autorit, bibliotekat shkollore dhe ato komunale”. Përkundër kësaj, në Shqipëri, buxhetet, në ndonjë qytet, thanë botuesit, çojnë një libër të vetëm.
“Po marr një rast konkret, që u bë furnizimi me libra për bibliotekat e shkollave, dhe Përrenjasit i çohet vetëm 1 libër, nga e gjithë lista. Nëse e tërë drejtoria ka marrë 30, Përrenjasit i çohet një, nga tërë shëtpitë botuese 5 tituj. Si mund të bësh furnizim biblioteke me 5 libra”, tha botuesi Jani Malaj.
Me gjithë krizën financiare dhe atë të lexuesve të munguar që ose kanë ikur nga vendi, ose nuk janë kultivuar si lexues për shkak të politikave të munguara, Panairi shpall të shtunën çmimet për më të mirët e këtij viti, autori, përkthyesi, libri më i mirë studimor dhe ai i librit më të mirë për fëmijë përfshirë dhe dy çmime nga ambasada franceze e polake.
