Kriza në Lindjen e Mesme do të kryesojë sot agjendën e bisedimeve, kur kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu do të bëhet lideri i parë i huaj që takohet me presidentin e SHBA-së Donald Trump pasi ky i fundit mori drejtimin e Shtëpisë së Bardhë për një mandat të dytë.  Netanyahu mbërriti në Uashington të dielën.

“Ky është një takim i rëndësishëm që forcon aleancën e thellë midis Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara dhe do të përmirësojë bashkëpunimin tonë”, shkroi ambasadori i Izraelit në OKB, Danny Danon në X.

Marrëdhëniet mes dy vendeve janë acaruar kohët e fundit për shkak të veprimeve të ushtrisë izraelite në Rripin e Gazës dhe Libanit, si dhe kritikave nga paraardhësi i Trump Joe Biden.

Trump është më pak kritik ndaj veprimeve të ushtrisë izraelite sesa Biden.

Takimi mes dy politikanëve synon edhe përgatitjen e raundit të ardhshëm të negociatave mes Izraelit dhe Hamasit islamik palestinez, për vazhdimin e armëpushimit në Gaza.

Netanyahu do të takohet gjithashtu  dhe me Steve Witkoff, të dërguarin special të SHBA-së për Lindjen e Mesme.

Witkoff ndihmoi në ndërmjetësimin e pengjeve aktuale izraelite, dhe për marrëveshjen e të burgosurve palestinezë.

Sipas raporteve të medias, Trump dhe Netanyahu po kërkojnë gjithashtu të bëjnë përparim drejt një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënieve midis Izraelit dhe Arabisë Saudite.

Sipas mediave amerikane, dy liderat do të mbajnë dhe një konferencë për shtyp.

(BalkanWeb)

 

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: