Këtë pasdite, në Parlamentin francez luhej një nga faqet më të rëndësishme të historisë së Francës që nga koha e De Gaulle, kur ai hodhi themelet e kushtetutës aktuale në vitin 1959. Kryeministri i tretë i emëruar nga Macron brenda një viti, Sébastien Lecornu, qeveria e parë e të cilit zgjati vetëm 14 orë, një javë më parë, kishte sot një shans të dytë dhe të fundit që deputetët francezë të mos rrëzonin sërish një qeveri të re.

Ai u paraqit në orën 15:00 përpara Asamblesë Kombëtare të Francës për fjalimin inaugurues të qeverisë së re dhe për të paraqitur prioritetet buxhetore. Nëse 289 deputetë votojnë kundër, arrihet shumica absolute për mocionin e mosbesimit; qeveria Lecornu 2 bie menjëherë dhe Franca shkon në zgjedhje të parakohshme, ku partia e Marine Le Penit, sipas të gjitha sondazheve, pritet të ketë fitoren e garantuar.

Para se kryeministri i ri të hynte në sallën e Parlamentit, i shoqëruar nga tamburet e protokollit për të mbajtur ndoshta fjalimin më të rëndësishëm të historisë politike bashkëkohore të Francës, 95% e shumicës së nevojshme për rrëzimin e qeverisë ishte arritur tashmë. Dy partitë ekstreme, e djathta e Le Penit dhe e majta radikale e Mélenchonit, së bashku me disa parti të vogla, kishin depozituar në Byronë e Asamblesë Kombëtare kërkesën për rrëzimin e qeverisë, pavarësisht se çfarë do të thoshte Lecornu në fjalimin e tij për votëbesim.

Të gjitha këto forca politike së bashku përbënin 264 vota nga 289 që duhen për rrëzim. Mungonin vetëm 25 vota, të cilat mund t’i sillte vetëm Partia Socialiste në opozitë, e udhëhequr më parë nga ish-presidenti François Hollande. Pikërisht Hollande, që dikur ishte “tradhtuar” nga Macron kur ky u shkëput nga socialistët për të krijuar lëvizjen e tij politike. Kështu, Partia Socialiste mbante në dorë fatet e qeverisë dhe të Francës, ta rrëzonte apo jo, duke ditur se zgjedhjet e parakohshme do të përfitonin vetëm ekstremet.

Për t’i shpëtuar këtij kurthi historik, Partia Socialiste i vuri “pistoleten në tëmth” kryeministrit të Macronit, Sébastien Lecornu, me një ofertë të prerë: Ose anulo reformën më të rëndësishme të mandatit të Macronit reformën e pensioneve, e cila ka hyrë në fuqi prej një viti dhe ka rritur moshën e daljes në pension nga 62 në 64 vjeç, ose socialistët do të bashkohen me ekstremet për të rrëzuar qeverinë.

Dhe ajo që shumë analistë prisnin, ndodhi. Për të shpëtuar veten, Presidentin Macron dhe Francën, kryeministri Lecornu lëshoi “bombën” gjatë fjalimit të tij: Nëse i lejohet të “mbijetojë”, qeveria e tij do të pezullojë reformën e pensioneve, reformën më të kushtueshme dhe më simbolike të presidencës së Emmanuel Macronit.

Në atë moment, kamerat e Parlamentit fiksuan fytyrën e kreut të socialistëve, Olivier Faure, që jepte shenja aprovimi, një ogur i mirë për qeverinë e sapoformuar. Ende nuk është e garantuar nëse ajo do t’i mbijetojë mocionit të mosbesimit, pasi numërimi përfundimtar i votave do të bëhet nesër. Por ka shumë gjasa që, pas realizimit të kërkesës së saj për pezullimin e reformës së pensioneve, Partia Socialiste të mos e votojë censurën bashkë me ekstremet, duke i shmangur Francës dhe ndoshta edhe Europës krizën më të madhe politike që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb