Analisti Ben Andoni, i ftuar në News24, ka komentuar zhvillimet e fundit politike në Kosovë, pas vendimit të presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Parlamentit në prag të përfundimit të afateve për zgjedhjen e presidentit të ri.

Sipas Andonit, situata erdhi si pasojë e mungesës së një marrëveshjeje mes mazhorancës dhe opozitës për emrat e kandidatëve për president.

“Dukej një diferencë mes qëndrimeve të kryeministrit Albin Kurti dhe opozitës. Pak javë më parë Kurti tregoi indirekt se kishte divergjenca me zonjën Osmani sa i përket qëndrimeve. Ai tha se po shikonte për një president dhe jo që do mbështeste presidenten aktuale. Ky ishte mesazhi i parë që zonja Osmani do të kishte probleme”, u shpreh Andoni.

Sipas tij, opozita kishte pritur që mazhoranca të sillte kandidatura jo partiake, sipas një marrëveshjeje të pashkruar mes palëve, por kjo nuk ndodhi.

“Opozita mendoi se mazhoranca do sillte dy kandidatura sipas marrëveshjes jo verbale që kishin, që nuk do të kishin përkatësi politike, por kjo nuk ndodhi. Vetëvendosje përcolli dy personazhe, mes tyre edhe Glauk Konjufca, një figurë që opozita e konsideron problematike për Kuvendin sa i përket qasjes së tij”, tha ai.

Përballë kësaj situate, opozita vendosi të bojkotojë procesin, gjë që sipas Andonit e çoi presidenten Osmani drejt vendimit për shpërndarjen e Parlamentit dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme.

“Kjo e bëri zonjën Osmani të kalonte në ekstremin e mundshëm duke shpallur zgjedhjet e parakohshme”, theksoi analisti.

Ai shtoi se gjatë ditës së sotme ambasadorët e vendeve të QUINT-it janë përpjekur në Prishtinë të ndërmjetësojnë për gjetjen e një zgjidhjeje politike, por pa sukses.

“Ambasadorët e QUINT janë përpjekur sot të bëjnë konsultime, por nuk ja kanë dalë, ndërsa Kurti po përpiqet të dërrmojë opozitën e Kosovës”, u shpreh Andoni.

Sipas tij, ekziston edhe një element institucional që e bën situatën më komplekse.

“Në periudha të tilla vakance, kryetarja aktuale e Kuvendit merr përkohësisht edhe tagrin e presidentit. Kjo lidhet edhe me zhvillime të tjera institucionale, siç është procesi për zgjedhjen e kryeprokurorit të Kosovës”, përfundoi ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb