Kancelari gjerman Friedrich Merz pritet të bëjë sot të ditura ndryshimet në qeveri, pas dorëheqjes së Jens Spahn nga posti i kreut të grupit parlamentar të Bashkimit Kristian Demokrat (CDU/CSU). Vendimi i Spahn vjen pas kritikave të shumta publike lidhur me lindjen e një fëmije përmes një nëne zëvendësuese në Shtetet e Bashkuara. Surrogacia është e ndaluar me ligj në Gjermani, ndërsa vetë Spahn më herët e kishte kundërshtuar këtë praktikë në deklarata publike.

Sipas mediave gjermane, Spahn pritet të zëvendësohet në krye të grupit parlamentar nga Torsten Frei, aktualisht shef i stafit të kancelarisë Friedrich Merz.

Pas këtij ndryshimi, posti i shefit të stafit të kancelarisë pritet t’i kalojë ministres së Shëndetësisë, Nina Warken.

Ndërkohë, vendin e Warken në Ministrinë e Shëndetësisë pritet ta marrë sekretari i përgjithshëm i CDU-së, Carsten Linnemann.

Sipas televizionit publik gjerman ARD, ndryshime priten edhe në Ministrinë e Transportit, ku ministri aktual Patrick Schneider (CDU) mund të zëvendësohet nga Fritz Günzler, gjithashtu nga radhët e CDU-së. Ndryshimet vijnë në një periudhë kur qeveria e Friedrich Merz po përballet me presion politik dhe nevojën për të ruajtur stabilitetin brenda koalicionit qeverisës.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: