Kroçiera “Monet” që u ankorua mëngjesin e sotëm në portin e Durrësit mbante në bordin e saj 50 turistë britanikë.

Gazetarja Klodiana Haxhiaj raporton për balkanweb se kjo është hera e dytë për këtë vit që anija luksoze vjen në Durrës dhe ishte pikërisht ajo që më datë 5 maj hapi sezonin e kroçierave në portin më të madh në vend. Në ditët dhe muajt në vazhdim, të tjera krociera pritet të vizitojnë qytetin bregdetar.

Deri në fund të sezonit priten edhe 10 kroçiera të tjera, të cilat janë me numër më të madh pasagjerësh.

Megjithëse është një port tregtar, Durrësi përgjatë viteve të fundit ka qenë gjithnjë në vëmendjen e agjencive turistike botërore, që e kanë përfshirë atë në itinerarin e mjeteve lundruese të tyre. Vitet në vazhdim, pritshmëritë janë edhe më të mëdha.

Turistët e shumtë që mbërrijnë në vendin tonë përmes kroçierave luksoze janë vizitorët më të shpeshtë të siteve të trashëgimisë kulturore të Durrësit, Tiranës, Krujës etj.

Një biznes shumë fitimprurës për shtetin shqiptar është edhe furnizimi me naftë i jahteve luksoze, pasi vetëm vitin e kaluar nga taksa e karburantit u arkëtuan mbi 10 milionë euro.

Këtë vit, numri i jahteve luksoze pritet të jetë edhe më i madh.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb