Kronika e djeshme nuk ka hyrje. Ajo nis drejt e nga fundi ku Kryezëvendës Lideri Muli më qortoi. Ndonëse atërisht po prapë kritika e tillë mbetet. Pas një seance të gjatë mora të dal dhe qëndrova tek karrigia e Kryezëvendës Liderit se është bërë zakon si besimtarët që kur dalin nga Kisha bëjnë kryqin e fundit. Vetëdija se në ditë të vështira tek kraharori i tij jemi mbështetur se dorë e tij na ka mbajtur të mos biem në greminat e pakthim të hasmërisë na bën mirënjohes.

Kur biseda dukej se po merrte nga e mbara instikti i xhentilesës më bëri të interesohem ashtu thjesht pa tituj për shëndetin e zonjës Albana, e cila së fundmi duket si më e hequr. Ajo ngriti kokën si përtueshëm dhe lëshoi një “mirë” të thatë. Aty Kryzëvendës Lideri ndryshoi çehren, befas u bë i zymtë dhe tha “dëgjo zotëri, në parti ka hierarki, ti je axhami në keso punesh e ke thënë vete e kjo të nderon , ne nuk njohim ketu asnjë Albana por njohim vetem një e të pandashme “shefe Albana”.

I zënë në faj mu tha pështyma dhe belbëzova mbyturazi që isha mësuar të thërrisja “Shefe Jorushi”. Aty Kryezëvendës Lideri u mvrenjt edhe më rëndë u llafos “e kam vënë re, por kam besuar që do korrigjoheshe vetëvetiu nën driten e zhvillimeve, ajo tani për tani është vetëm Jori atë prapashtesën përkëdhelëse -ushi-ne s’e njohim po s’u kthye në grup dhe kur të vijë si fillim mund ta gradojmë kandidate për zevëndës shefe Jori pastaj t’u pa e t’u bë”. Tritani tunde kokën në shenjë miratimi. Vetëm Isuf Çela me kqyrte me keqardhje. Pasi kuptova gabimin dhe në largim i thashë “shefe Albana” mirupafshim ajo u çel dhe me buzeqeshi ëmbel dhe optimizmi me rrem, beru të gjithin.

Kryezëvendës Lideri më rrahu shpatullat aterisht dhe më përgëzoi duke më thënë se Partia e ka zemrën e gjërë dhe nuk të le të gabosh por edhe vetë u ndjeva më i lehtësuar nga pranimi i të vërtetave që shkëlqejnë si rreze dielli. Qe e lodhshme seanca edhe për faktin se mu desh ta drejtoja përsëri. Babo me Taon pasi kanë marrë e dhënë me Muçon për tre vjet duket diku janë thyer e zhgënjyer prej tij dhe tani duan t’i plasin shpirtin. Më erdhi përsëri Çuçi e me tha “do ti t’ja bësh zemrën mal Babos”? Dua si nuk dua i thashë kjo është ëndrra e çdo shqiptari të ndershem dhe e brezave që do vine, “bukur regetiu, dil e drejto seancen në kuader të pazarit që kemi bërë ne të trekendeshit të Bermudes kunder Muços si rreziku më i madh per të gjithë , duke të thënë shendet ty i them njëzëri plaç Muços”. U ngjita, aty afër erdhi Ogi dhe mu lut “aman mos bëj ndonjë prapësi me karrigen e Babos se më kanë lënë mua ta ruaj sot”. Po pse nuk vjen vetë ai për t’i dalë zot pyet ? “Ua Babua e ka zët parlamentin, sheh Gaz Bardhin dhe i prishet gjaku, qamet zët, ti thuaj shyqyr që na lë karrigen ta venerojmë e të marrim udhëzime prej saj se i teket e nuk e le as atë”.

Nuk të jap fjalën i thashë, kam marrë urdhër nga Lideri në perspektivë Gazi pas refuzimit të interpelancës të bëjë një akt guerril dhe t’i japë zjarr, t’ja falë dreqit! Ogi u trishtua, aman tha mos e bëj se më more në qafë kam kalamaj për të mbajtur”. Aty u preka dhe hoqa dorë. Salianji i cili ndiqte biseden më bënte shiharete nga të vetat që i ka gjithmonë pa të keq e për mirë qysh ta gëzojë njerinë e gjorë. Se ai qëllim në jetë këtë ka.

Në oborr të Kuvendit desh më mbytën motrani e shoqeni të PS-së pasi ato PD -së më qortuan live. Mu duk vetja si Kapedani që me gërshërë do i prisnin mustaqet graria pas fjalimit sarkastik kundër qeverisë në sallë. Në timen e kisha bërë per ujë të ftohtë Spiropalin dhe spiropalizmin po të vetët ishin bërë xhelozë. “Opera” për Elisën thoshte Gjylameti po për mua as një baladë jo? “Madona di Scutari” për të tha Etilda, si kështu unë jam më e përshpirtshme të më quaje “Madona di buon consiglio”?! Po kisha shkruar u justifikova që ti ke qendisur si Marigoja flamurin që ngriti Babua në 1912 po s’e di u ngatërrova.

Antoneta Dhima mu hakërrye me një jazëk po për Braçen si nuk the një fjalë, ai ka luftuar me Dine Aganë në Çanak Kala, as për Belën që ka ngritur hidrocentralet mbi Drin dhe elektrifikuar vëndin?! E vërtetë, u bëra meit. Klodi Bushka më butë “ah mër Gon si nuk xune mend erdhi dita që Eni Xake me të gjyku me ta qujt satirën folklor?”.

Ismet Beqiri mu afrua dhe heshti në copë herë, “si kështu më tepër nga ti prisja!” –“Pse qysh?” –“Si nuk the që Mimi di Puccini shpiku Pianon dhe qemanen që ka shkruar Komedinë Hyjnore dhe mbi të gjitha le pa përfshirë poezitë plot nur e pjalm të Petros nomatisur muzgjeve të thukta, meritat e Anila Denajt në mbarështimin e lopëve, të Goxhes në fryrjen e rrotës, të Tezes në vallen libohovite, të Nikos në Ikonografi, të Etjen qerratait në zierjen e reçelit dhe Bujarit të Lushnjes në rakinë e dëllinjës”.

Me një fjalim kisha bërë shumë armiq e hengra shumë të shara. Në atë mërzi më gjet Helidon Bushati që me dha gajret “shumë armiq shumë nder ”. Gazetari Renaldo Salianji nga studio habitej me lumturinë trashendentale të kolegëve Man (Osman) qafiri i News24, Ermali i Syrit, dhe Isa i Orës për gëzimin e tyre të eger thjesht për faktin që i patëm zënë duke ngrënë byrekë me miell të dyshimtë teksa një deputet gjindej nën kërcënim zhburrërimi. Muhamet Veliu rrinte indiferent dhe i paepur në pavarësinë e tij. Ndërsa Fatjon Binjaku turfullonte, “ky ha bukën e kaurrit dhe bënë duanë e turkut, unë ia korrigjoj qyfyret dhe ai ve re gastronominë e kolegëve të mi e nuk na mbron nga sulmet e pushtetit”!

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: