Finalet e NBA-së kanë sjellë një nismë të pazakontë dhe plot humor në Nju Jork. Kryebashkiaku i qytetit, Zoran Mamdani, ka firmosur simbolikisht një urdhër ekzekutiv që “shfuqizon” orarin e gjumit për fëmijët gjatë zhvillimit të finaleve, për t’u mundësuar tifozëve të rinj të ndjekin ekipin e tyre të zemrës deri në fund.
Vendimi vjen në një kohë kur oraret e ndeshjeve të mëdha sportive vazhdojnë të jenë objekt debatesh, pasi rrjetet televizive i planifikojnë ato në oraret me audiencën më të lartë. Edhe finalet e këtij viti në NBA do të nisin në orën 20:30 sipas kohës së Bregut Lindor, çka e bën të vështirë për shumë fëmijë dhe adoleshentë të ndjekin ndeshjet deri në përfundim.
I rrethuar nga nxënës në zyrën e tij, Mamdani nënshkroi dokumentin humoristik, ku thuhet se “koha e gjumit nuk duhet t’i pengojë njujorkezët e rinj të mbështesin Knicks dhe të shikojnë çdo sekondë të kësaj serie historike finalesh”. Dokumenti është hartuar me tone satirike dhe madje është shkruar me shkronjat Comic Sans.
“Si kryetar bashkie, ju duhet të merrni shumë vendime të vështira. Ky nuk ishte një prej tyre”, u shpreh ai me shaka.
Megjithatë, urdhri nuk përfshin asnjë lehtësim për shkollat. Nxënësit që do të ndjekin serinë finale mes New York Knicks dhe San Antonio Spurs do të duhet të paraqiten normalisht në mësim. Shkollat publike të Nju Jorkut do të vazhdojnë aktivitetin deri më 26 qershor, pavarësisht ndeshjeve që do të zhvillohen nga 3 deri më 19 qershor.
Ndërkohë, në San Antonio situata është më e thjeshtë për tifozët e rinj të Spurs, pasi pushimet verore kanë nisur që në fund të muajit maj.
