Kryetari i Bashkisë së Tetovës dhe lideri i Partisë “Besa”, Bilall Kasami, vizitoi Tiranën duke shprehur publikisht mbështetjen për kandidaten e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku. Në takimin e zhvilluar në Gjokaj të Bashkisë Vorë, Kasami theksoi rëndësinë e një fitoreje të Partisë Demokratike, duke e konsideruar atë si një hap pozitiv për shqiptarët brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë.

Bilall Kasami deklaroi se prania e Jorida Tabakut në Parlamentin shqiptar do të jetë një zë i rëndësishëm dhe fuqizues për të gjithë shqiptarët, sidomos për ata në Maqedoninë e Veriut.

“Është një kënaqësi e veçantë për mua që sot gjendem këtu, në qendër të Shqipërisë, për të mbështetur mikeshën time dhe një figurë politike që ka dëshmuar afërsi dhe përgjegjësi ndaj qytetarëve. Tirana mbetet pika jonë orientuese dhe është jetike që të kemi përfaqësim të fortë dhe serioz në Parlament,” tha Kasami.

Gjatë takimit, Kasami dhe Tabaku zhvilluan diskutime të hapura me banorët, duke u fokusuar në problemet reale dhe duke theksuar nevojën për një politikë që i shërben drejtpërdrejt qytetarit.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb