TIRANE

Në një kohë kur kryeministri Edi Rama inspektoi sot kantierin e konvikteve të Inxhinierisë së Ndërtimit dhe disa prej rezidencave ku janë akomoduar studente, vjen një reagim nga kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi.

Nga jashtë ambienteve të konvikteve, Kryemadhi ‘demaskoi’ kryeministrin, ndërsa theksoi se ky nuk është një projekt i qeverisë shqiptare, sikurse tha Rama, por i qeverisë gjermane. Sipas Kryemadhit, Rama duhet të demaskohet në çdo sekondë.

“Jam e detyruar ta bëj këtë transmetim live. Sapo pamë transmetimin live të kryeministrit tonë mashtrues, i cili përveçse vazhdon e mashtron, duhet demaskuar në çdo sekondë. Ai sot shpërndan një video ku thotë se është projekt i qeverisë shqiptare. Por gënjen, ja ku është tabela, se nuk është i qeverisë shqiptare. Është projekt i qeverisë gjermane. Pasi falsifikoi firmën e sekretarit të Shtetit në Amerikë po vjedh edhe projektet e qeverisë gjermane. Ky është një projekt i vitit 2011, i cili duhej të kishte mbaruare në 20 dhjetor të 2018. Por nuk mjafton kjo, por vjen dhe bën dhe show mediatik. Po të kishte fytyrë ky njeri, të vinte të ballafaqohej me studentët. Ai duhet të kujtojë dhe të shkojë në atë godinë ku vajzës i ra tavani mbi kokë. Të shkojë në ato godina ku për 400 vajza ka vetëm 4 banjo”, tha Kryemadhi.

Postimi i Rames
“Në kantierin e konvikteve të Inxhinierisë së Ndërtimit Rezidencat A/B/C dhe D, ku falë marrëveshjes me qeverinë gjermane, 1080 studentë do të akomodohen në kushte optimale, brenda muajit mars? Atyre që e kanë shkruar pikën 1 të 8 kërkesave të studentëve, u them se plani ynë për përmirësimin e kushteve në konvikte, ka nisur të zbatohet kohë më parë?Por nga ana tjetër, kjo pikë e artikuluar së fundmi, si një kërkesë e studentëve, është një shtysë e nevojshme për të ecur më shpejt?”, shkruan Rama.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb