Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi ishte dje dhe sot e pranishme në aktivitete me ish-anëtarë të Kongresit Amerikan.
Në një postim në Facebook, ajo shkruan se ishte e ftuar në takimin vjetor të organizuar në Uashington, ku u fol edhe për integrimin e Shqipërisë në BE si dhe krizën e emigrantëve në kontinentin europian.
Ndërsa në lidhje me 600 mijë sirianët në Shqipëri, Kryemadhi shprehet se është një lojë e qeverisë Rama në kurriz të shqiptarëve.
Statusi i plotë
Dje dhe sot pata biseda të frytshme me ish-anëtarë të rëndësishëm të Kongresit Amerikan.
E ftuar në takimin vjetor organizuar në Uashington, ndër të tjera biseduam për integrimin e Shqipërisë në BE dhe krizën e emigrantëve që po përjeton së fundmi kontinenti ynë.
Ndër të tjera, e rëndësishme për bashkëbiseduesit amerikanë ishte fakti që kriza e emigrantëve në Europë kërkon një qasje të re në qëndrim.
Kjo ka të bëjë sipas tyre edhe me forcimin e shteteve europiane, si dhe me ndryshimin rrënjësor të jetës politike dhe ekonomike të vendeve që eksportojnë refugjatë.
Këto politika do të dekurajonin largimin masiv të njerëzve dhe do të krijonin kushte më të mira për popullsinë e vendeve që janë burim për emigracionin e paligjshëm.
Ky është vizioni që duhet të këtë Shqipëria për të punuar për të rinjtë e Shqipërisë dhe jo për të asgjesuar çdo shans të tyre.
Loja e qeverisë me refugjatet është një lojë tërësisht në kurriz të shqiptarëve!

