Spanja ka dërguar një paketë të re ndihmash, prej 200 tonësh pajisje ushtarake në Ukrainë, duke përfshirë automjete të rënda transporti dhe municione.
Lajmi u bë i ditur nga kryeministri spanjoll Pedro Sanchez, gjatë një vizite në Kiev sot.
Duke folur në një konferencë të përbashkët shtypi me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, dhe kryeministren e Danimarkës, Mette Frederiksen, Sanchez tha se kjo ishte dërgesa më e madhe e bërë deri më tani, raporton The Gueardian.
“Kjo është dërgesa më e madhe që kemi bërë, më shumë se dyfishi i asaj që kemi dërguar deri më tani.
Një anije e marinës spanjolle e ngarkuar me pajisje u nis nga një port në Spanjë të enjten për në Poloni, nga ku ngarkesat do të transportohen në Ukrainë”, tha ai.
Anija mbart 30 kamionë, disa mjete speciale të rënda të transportit dhe 10 automjete të vogla të ngarkuara me material ushtarak që do të transferohet në Ukrainë.
Sanchez tha gjithashtu se Spanja do t’i kërkojë Gjykatës Penale Ndërkombëtare të hetojë krimet e dyshuara ruse të luftës në Ukrainë dhe se planifikon të dërgojë hetues për krimet e luftës atje.
Gjatë të njëjtit konferencë, homologja e tij daneze, Mette Frederiksen, tha se vendi i saj do të rrisë kontributin e tij të armëve në Ukrainë me 600 milion kurora daneze (67 milion £).
