Kryeministri Francois Bayrou do të nisë një seri bisedimesh me partitë politike të Francës të hënën, duke kërkuar të shmangë rrëzimin e qeverisë së tij në një votëbesim javën e ardhshme, të cilin udhëheqësit e opozitës e thanë se është i destinuar të dështojë.
Partitë e opozitës kanë thënë se do të rrëzojnë qeverinë e pakicës në votimin e 8 shtatorit, të cilin Bayrou e njoftoi papritur javën e kaluar, ndërsa kërkon të shtyjë përpara planet jopopullore për një shtrëngim buxhetor në vitin 2026.
Tregjet franceze të aksioneve dhe obligacioneve ranë ndjeshëm javën e kaluar pas njoftimit të Bayrou-t, por e rikuperuan terren të hënën.
Presidentja e Bankës Qendrore Evropiane, Christine Lagarde, tha se Franca ishte e fortë, por çdo rrezik i rënies së një qeverie në eurozonë ishte shqetësues.
Franca ka ekonominë e dytë më të madhe në eurozonë.
Bayrou ishte planifikuar të fillonte bisedimet e tij me Partinë Komuniste të hënën pasdite, përpara se të takohej me parti të tjera më vonë gjatë javës.
Kreu i Partisë Socialiste të opozitës, Olivier Faure, tha të dielën se vendimi për të votuar kundër Bayrou ishte “përfundimtar”.
Faure shtoi se e konsideronte Bayrou-n të pabesueshëm dhe se partia e tij do të takohej me të këtë javë thjesht nga respekti për institucionet e vendit.
Socialistët kanë bërë një kundërpropozim për buxhetin, i cili do të shihte një ulje të deficitit me 21.7 miliardë euro vitin e ardhshëm, gjysma e asaj që Bayrou thotë se është e nevojshme Plani i socialistëve do të përfshinte më shumë taksa mbi të pasurit dhe bizneset e mëdha.
(BalkanWeb)
