Belind Këlliçi, ka reaguar pas deklaratës së biznesmenit Mohamed Alabbar, i cili tha se investimi në Shqipëri ishte i nxituar dhe një gabim.
Përmes një postimi në Facebook, Këlliçi e cilëson deklaratën e Alabbar si një sinjal të qartë se projekti po shkon drejt dështimit dhe i bën thirrje Prokurorisë së Posaçme (SPAK) të hetojë marrëveshjen për Portin e Durrësit.
View this post on Instagram
Sipas tij, një nga asetet më të rëndësishme strategjike të vendit iu dha investitorit pa transparencë dhe pa një debat publik.
“Një port 2 mijëvjeçar, me 80 hektarë truall ndër më të vlefshmit në vend, iu dha mikut të Edi Ramës pa asnjë diskutim, debat apo dëgjesë publike,” shprehet Këlliçi.
Ai pretendon se deri më tani investitori nuk ka kryer investime me fondet e tij, ndërsa shton se rreth 60 milionë euro janë financuar nga qytetarët shqiptarë përmes kontratës së porosisë.
Në reagimin e tij, Këlliçi ngre gjithashtu dyshime për cilësinë e punimeve të kryera deri tani, duke pretenduar se disa godina të ndërtuara në zonën e projektit kanë pësuar zhytje, çka sipas tij kërkon verifikim të mëtejshëm.
Ai akuzon kryeministrin Edi Rama se ka vepruar në dëm të interesit publik, duke rrezikuar të ardhmen e Portit të Durrësit, dhe kërkon që organet e drejtësisë të hetojnë përgjegjësitë lidhur me këtë projekt.
“Deklarata e vetë investitorit ngre pikëpyetje serioze për mënyrën se si është trajtuar kjo çështje. SPAK duhet të zbardhë të gjithë procedurën dhe përgjegjësitë për këtë marrëveshje,” përfundon Këlliçi në reagimin e tij.
Statusi i plotë në Facebook:
Edhe Alabar denoncon Edi Ramën, çfarë pret SPAK të veprojë për krimin e rëndë me Portin e Durrësit?!
Miku i Edi Ramës Alabar, që mori falas 80 hektarë truall në portin e Durrësit, qenka shprehur se ky projekt ishte i nxituar dhe një gabim. Alabar paralajmëron kështu dështimin!
Në kulmin e protestave kundër korrupsionit dhe arrogancës së Edi Ramës, vjen një tjetër konfirmim se Kryeministri e ka trajtuar vendin si plaçkë dhe pronë private.
Po ky rast ishte një kulm i papërgjegjshmërisë dhe tradhtisë ndaj vendit. Sepse një port 2 mijë vjeçar, me 80 hektarë truall me vlerën më të madhe në vend, ju fal mikut të Edi Ramës pa asnjë diskutim, debat, dëgjesë.
Pra Edi Rama e trajtoi nyjen më të rendesishme tregtare dhe strategjike të kombit, sikur ta kishte kopshtin e tij në Surrel.
Deri tani, miku i Kryeministrit nuk ka investuar asnjë qindarkë. Aty janë hedhur rreth 60 milionë euro të marra nga qytetarët shqiptarë me kontratë porosie.
Janë bërë disa godina që u zhytën 18 centimetra, çka hodhi dyshime mbi cilësinë e punimeve.
Edi Rama fali një pronë kaq të çmuar duke e ndëshkuar Shqipërinë, duke e rrezikuar ta lërë pa port.
Pra kemi të bëjmë me disa krime të rënda.
Çfarë pret SPAK për ta marrë të pandehur e për ta vënë para përgjegjësisë, autorin e kësaj afere, që është Edi Rama?!
