Kryeministri francez Francois Bayrou i mbijetoi të martën mocionit të fundit të mosbesimit në Asamblenë Kombëtare, falë mungesës së mbështetjes nga Fronti Nacional (RN) i ekstremit të djathtë, që vendosi të mos e përkrahë nismën e paraqitur nga opozita e majtë.
Kjo është hera e tetë që Bayrou përballet me një mocion të tillë që prej marrjes së postit në dhjetor, por me gjithë qëndrueshmërinë e tij në votim, pozita e tij si kryeministër mbetet e brishtë. Ai tashmë ndodhet në një situatë të ngjashme me ish-kryeministrin Michel Barnier, i cili u rrëzua pas tërheqjes së mbështetjes nga RN.
Zyrtarët e RN, ndonëse forca më e madhe në parlament pa shumicën absolute, preferojnë të ruajnë kartat për më vonë këtë vit, kur pritet një betejë vendimtare mbi buxhetin e vitit 2026. Ky dokument kërkon shkurtime prej 40 miliardë eurosh, një sfidë që mund të rrëzojë qeverinë.
Mocioni i fundit u ngrit nga socialistët, të cilët u zhgënjyen nga dështimi i bisedimeve për reformën e pensioneve – një proces që Bayrou kishte iniciuar në përpjekje për të siguruar mbështetjen e tyre ndaj një mocioni të mëparshëm. Me dështimin e këtyre negociatave, aleanca e përkohshme me të majtën duket se ka marrë fund.
