OJQ-të nuk duhet të lejohen të bëhen një mjet i ndërhyrjes politike, opozita u detyrua të tërhiqet në çështjen e sanksioneve, tha kryeministri gjeorgjian Irakli Kobakhidze.
Kobakhidze tha se është e papranueshme që organizatat joqeveritare (OJQ) të ndërhyjnë në politikën e brendshme të vendit përmes burimeve të huaja financiare.
Ai theksoi se nuk ka alternativë për miratimin e një ligji të ngjashëm me ligjin e SHBA-së FARA (Akti i Regjistrimit të Agjentëve të Huaj) në Gjeorgji.
“Qeveria amerikane ka pranuar se USAID, NED dhe mekanizma të tjerë janë përdorur për të destabilizuar vende të ndryshme, përfshirë Gjeorgjinë. Në rrethana të tilla, është e rëndësishme të sigurohet transparencë e plotë në veprimtarinë e OJQ-ve. Nuk duhet lejuar që ato të bëhen një mjet i ndërhyrjes politike nëpërmjet financimit të huaj”, theksoi kryeministri.
Sipas Kobakhidze, miratimi i këtij ligji është thelbësor për të parandaluar ndikimin e huaj në punët e brendshme të vendit.
Kryeministri tha gjithashtu se fushata e opozitës për vendosjen e sanksioneve ndaj vendit ishte e pafrytshme. Ai shtoi se opozita është detyruar të bëjë një hap prapa për shkak të qasjes së ndryshme të shoqërisë ndaj kësaj çështjeje.
“Nëse do të vendoseshin sanksionet do të kishte një përshkallëzim dhe do të rrënohej ekonomia. Në atë kohë opozita e kërkonte këtë. Tani meqë nuk u kanë mbetur asnjë argument, detyrohen të gënjejnë”, tha ai.
Kobakhidze përmendi gjithashtu se ish-presidentja Salome Zourabichvili ka bërë deklarata të rreme për këtë çështje dhe këtë ia atribuon situatës së vështirë të opozitës.
(A.A/BalkanWeb)
