Kryeministri në detyrë të Kosovës , Albin Kurti e akuzon Serbinë për ndërhyrje në zgjedhjet lokale të 12 tetorit në Kosovë, duke bërë premtime të rreme për vende pune dhe përfitime financiare.
Sipas Kurtit, veprimet e fundit të Aleksandër Vuçiç dhe aktorëve të tjerë së politikës serbe janë përshkruar si ndërhyrje në procesin e zgjedhjeve lokale të tetorit në Kosovë.
“Premtimet për vende pune, joshja përmes përfitimit të mbështetjes financiare, kushtëzimi dhe shantazhi me beneficione sociale dhe deklarimet e zyrtarëve shtetërorë të Serbisë, se vetëm Lista Serbe e mbron Serbinë në Kosovë, siç bëri së fundi ish-kryeministri i Serbisë, Millosh Vuçeviq, e siç ka bërë vetë presidenti Vuçiq, janë metoda të përsëritura të ndërhyrjes së Serbisë në Kosovë”, tha Kurti.
Kryeministri e ka dhënë këtë deklaratë përgjatë mbledhjes së qeverisë, ndërkohë që kabineti i tij ndau nga 100 euro për studentët e vendit me rastin e nisjes së vitit të ri akademik.
Nga ana tjetër, Kurti i ka bërë thirrje Bashkimit Europian që të dënojë këtë ndërhyrje nga Beogradi në zgjedhjet e Kosovës dhe të marrë masa për sanksionimin e Serbisë për këtë.
Ndërsa, Vuçiç ka thënë se pritet të hapen 400 vende të reja pune në strukturën e kujdesit shëndetësor në Kosovë.
Këtë deklaratë të Presidentit serb e ka mbështetur dhe ministry in Shëndetësisë së Serbisë, Zlatibor Lonçar, duke nënvizuar se hapja e 400 vendeve të punës është një lajm që tregon përkushtimin e shtetit serb për sistemin shëndetësor në Kosovë.
Eksponentët e shtetit serb nuk kanë ndaluar thirrjet e tyre ndaj shtetasve me dokumente të Kosovës, duke i nxitur të votojnë Listën Serbe. Specifikisht, këtë thirrje e ka bërë drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviç.
Pikërisht këto deklarata, e kanë bindur Kryeministrin e Kosovës që të akuzoj palën serbe.
Ai theksoi se fitorja e Listës Serbe nënkupton edhe “vazhdimin e projekteve infrastrukturore dhe ndihmës financiare” nga shteti i Serbisë, duke konfirmuar se Lista Serbe ka mbështetjen e plotë të presidentit Vuçiç.
