Radovan Viskoviç, kryeministri i entitetit Republika Srpska të Bosnjës dhe Hercegovinës, dha dorëheqjen sot nga posti i tij.

Ai është anëtar i Aleancës së Social Demokratëve të Pavarur, të udhëhequr nga Milorad Dodik.

Viskoviç ka kryesuar qeverinë e Republikës Srpska që nga viti 2018, por mandati i tij është kritikuar shpesh nga opozita për menaxhimin e burimeve të entitetit dhe qasjen e tij ndaj institucioneve të Bosnjës dhe Hercegovinës.

Që nga korriku i vitit 2023, Viskoviç ka qenë në listën e sanksioneve të SHBA-së për shkak të kërcënimeve ndaj Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit dhe shkeljeve të sovranitetit të Bosnjës dhe Hercegovinës.

Siç u njoftua në atë kohë nga Departamenti i Thesarit i SHBA-së, Viskoviç ishte një nga udhëheqësit e RS-së përgjegjës për “promovimin e miratimit të ligjeve në Asamblenë Popullore të Republikës Srpska, me anë të të cilave vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës dhe Hercegovinës shpallen të pazbatueshme në RS, duke penguar dhe rrezikuar kështu zbatimin e Marrëveshjes së Dejtonit”.

Këto sanksione përfshijnë ndalimin e hyrjes në Shtetet e Bashkuara dhe ngrirjen e aseteve që ndodhen nën juridiksionin e saj.

Viskoviç është gjithashtu një nga të dyshuarit në hetimin e Prokurorisë së Bosnjës për krimin e prishjes së rendit kushtetues.

Dodik, president i Republika Srpska, dhe Nenad Stevandiq, kryetar i parlamentit të entitetit, akuzohen gjithashtu për të njëjtin krim./ REL

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb