Kryeministri i Pakistanit, Imran Khan, ka deklaruar se vendi i tij po punon me fuqitë rajonale për të siguruar një zgjidhje politike në Afganistanin fqinj dhe për të shmangur një luftë të mundshme civile pas tërheqjes së SHBA-së.

“Ne jemi në kontakt me vendet e rajonit për një zgjidhje politike në Afganistan. Ne po ashtu do të kontaktojmë talebanët (për t’i bindur ata) për këtë”, tha Khan në nisjen e disa projekteve të zhvillimit në portin strategjik Gwadar në provincën jugperëndimore Balochistan.

Kryeministri pakistanez tha se të gjitha vendet fqinje duhe të luajnë rolin e tyre për të shpëtuar Afganistanin nga lufta civile dhe paralajmëroi se një konflikt i tillë do të “shkatërronte” tregtinë e Pakistanit me vendet e Azisë Qendrore.

Khan tha se ai ka folur me presidentin e zgjedhur të Iranit, Ebrahim Raisi, për çështjen afgane dhe se po ashtu do të kontaktojë vendet e tjera përkatëse.

Islamabadi ka qenë kritik ndaj tërheqjes së shpejtë të SHBA-së nga Afganistani i shkatërruar nga lufta pa vendosur një strukturë të besueshme qeverisjeje në Kabul.

Edhe pse tërheqja është planifikuar të përfundojë deri më 11 shtator, talebanët tashmë kanë filluar një ofensivë të pacipë për të pushtuar disa rrethe kryesore në Afganistan, duke demoralizuar më tej forcat e sigurisë së vendit.//AA

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb