Ish-zëvendësministrja e Financave nga radhët e Partisë Socialiste, Irena Beqiraj, ka reaguar me një analizë me tone të forta teknike ndaj Kryeministrit Edi Rama lidhur me skandalin e financimit të koncertit të Kanye West. Përmes një reagimi publik, ekspertja e ekonomisë e ka zhveshur kryeministrin nga propaganda, duke e akuzuar se po luan “kungulleshkash” me paratë publike dhe se shifra e pretenduar prej 100 milionë eurosh përfitim është një mashtrim alucinant.

Beqiraj ka kapur në blof deklaratat e Ramës në Facebook, i cili pretendoi se koncerti solli jo më pak se 100 milionë euro të ardhura në ekonomi. Sipas ish-zyrtares së lartë, kjo shifër nuk ekziston në asnjë dokument zyrtar.

“100 milionë euro jo vetëm që nuk është shifër zyrtare por, për turp të gjithë qeverisë, është një hamendësim i dobët jo i edukuar, pra i bërë në mungesë të njohurive. Ekonomiksi i koncerteve tregon se përfitimet nga koncertet më gjigante në stadiume me kapacitet më të madh se 80,000 persona nuk i kanë kaluar 47 milionë dollarë,” shpjegon Beqiraj.

Ajo shton se nëse ky ndikim ekonomik do të ishte real, do të pasqyrohej me shifra e matje ekzakte në relacionin e Aktit Normativ, duke përfshirë kapacitetet, përqindjen e vizitorëve dhe multiplikatorin ekonomik, por aty nuk ka asgjë tjetër përveç propagandës “në mos qofshin do t’i sajojmë”.

Në analizën e saj, Irena Beqiraj nuk ka kursyer as profilin politik të Ramës, duke e cilësuar si një udhëheqës që ka tmerr nga llogaridhënia dhe që shkel çdo procedurë ligjore për tekat e tij personale.

“Kryeministri Perandor i urren ligjet, procedurat, rregulloret, kufizimet, transparencën dhe llogaridhënien që ato imponojnë. Aq shumë e bezdisin sa në mënyrë alucinante, për të nxjerrë 4.2 milionë euro nga buxheti pa ndjekur procedurën normale, e klasifikon një koncert si ‘emergjencë’ në mungesë të plotë të ligjshmërisë,” shprehet ajo.

Ish-zv.ministrja e mbyll reagimin e saj me një thirrje dëshpëruese për degradimin e institucioneve dhe vetmitarizmin e Ramës në vendimmarrje, ku askush nuk guxon t’i dalë kundër:

“Ndërsa vërdallë tij në Kryeministri, në Qeveri, në Kuvend nuk ka mbetur më asnjë t’i thotë jo. I gjori ai, është katandisur që argumenteve shteruese dhe aspak emocionale u përgjigjet si ahengxhiu i dehur i dasmës!” përfundon analizën e saj e ashpër Irena Beqiraj.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb