Analisti Ben Andoni, në një intervistë për News24, deklaroi se kryeministri Edi Rama ka humbur besimin e qytetarëve dhe se qeveria duhet të kishte reaguar që në ditët e para të protestave. Sipas tij, kërkesat e të rinjve nuk mund të anashkalohen dhe energjia e protestës duhet të shndërrohet në një organizim politik konkret.
Andoni theksoi se protestat në Shqipëri kanë disa elemente të përbashkëta me lëvizjen studentore në Serbi, veçanërisht sa i përket organizimit dhe mobilizimit qytetar, por nënvizoi se situatat nuk janë plotësisht të krahasueshme.
Ai kritikoi qëndrimin e Ramës ndaj protestuesve, duke argumentuar se thirrjet e përsëritura për dialog nuk mjaftojnë pa reflektim dhe veprime konkrete.
Sipas analistit, kryeministri është larguar nga realiteti i qytetarëve, ndërsa edhe reagimet e fundit të qeverisë kanë shtuar tensionet.
Andoni u shpreh se protesta duhet të kalojë në një fazë të re, duke u organizuar politikisht dhe duke shfrytëzuar edhe mundësinë e zgjedhjeve të ardhshme vendore. Ai propozoi gjithashtu ndryshimin e sistemit të përfaqësimit përmes uljes së pragut zgjedhor, në mënyrë që grupimet e reja të kenë mundësi të konkurrojnë jashtë dominimit të Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike.
Analisti vlerësoi se sfida nuk është vetëm largimi i Ramës, por edhe ndërtimi i një alternative që të ketë besimin e qytetarëve dhe të jetë e aftë të qeverisë. Sipas tij, energjia e protestave duhet të shoqërohet me një plan konkret për të ardhmen e vendit.
“Po të ishin më të qartë politikisht dhe të kishin njerëz që do t’i organizonin, do të ishin realisht në një pozicion më të fortë përballë kryeministrit. Kjo lidhet edhe me pyetjen nëse protesta duhet të shndërrohet në një lëvizje politike. Pra, pothuajse duhet të lindë një lëvizje politike nga kjo protestë. Ajo duhet të kthehet në organizim politik.
Pastaj, nëse duan ta mbajnë si lëvizje apo ta shndërrojnë në diçka tjetër, është zgjedhja e tyre. Shqetësimi më i madh kombëtar, të cilin protestuesit duhet ta kuptojnë mirë, është se çdo ndryshim bëhet në Parlament. Dhe Parlamenti nuk mund të jetë pjesë e lojërave teatrale që po bën Partia Demokratike. Ne e dimë se një pjesë e protestuesve nuk i duan partitë ekzistuese. Nga ana tjetër, Partia Socialiste përpiqet të minimizojë gjithçka. Të dyja partitë janë larg realitetit shqiptar dhe këtë po ua tregojnë të rinjtë.
Zgjedhjet vendore po afrojnë dhe kjo do të sjellë një narrativë krejt tjetër. Protesta duhet të kalojë në një stad të ri dhe të gjejë mënyrën se si kjo energji të bëhet pjesë e zgjedhjeve, duke ndërhyrë për herë të parë në procesin politik. Protesta ka një mundësi të madhe, sepse Bashkia e Tiranës është e papërfaqësuar në kuptimin e një përfaqësimi që të gëzojë besimin e protestuesve.
Lëvizja studentore duhet ta shfrytëzojë këtë moment, nëse synon të vazhdojë përpara. Njerëzit kanë nevojë të shohin një figurë që i drejton dhe një person ose grup që tregon se si do ta administrojë qytetin. Sa i përket Ramës, mendoj se ai nuk e njeh më realitetin e vendit. Edhe njerëzit pranë tij, përfshirë Taulant Ballën, duket se nuk e kuptojnë realitetin shqiptar. Nuk mjafton t’u shtrish dorën protestuesve; duhet të tregosh me veprime se ke reflektuar. Sipas mendimit tim, Rama është larg reflektimit që kërkojnë qytetarët.
Duhet të kemi parasysh se deklaratat e europarlamentarëve kanë kryesisht vlerë morale, por nuk mjaftojnë. Edhe deklaratat e kongresmenëve amerikanë kanë një peshë të caktuar, por ndikimi i tyre në çështjet shqiptare mund të jetë i kufizuar.
Sistemi amerikan funksionon edhe përmes sponsorizimeve dhe lobimit. Mjafton që qeveria e Tiranës të bëjë një lobim dhe mund të dalin dhjetë të tjerë që ta paraqesin qeverisjen e Ramës si shembullore. Megjithatë, duke pasur parasysh skandalet që kanë dalë, nuk besoj se institucionet do ta kenë aq të lehtë ta bëjnë këtë”, tha ai.
