Deputeti i PD-së Blendi Himçi, që u përjashtua nga Kuvendi pasi hodhi flakadanë në parlament, i ftuar në emisionin Minuta e parë deklaroi se kryeministri Edi Rama duhet të japë dorëheqjen.

Himçi u shpreh se Kuvendi e ka humbur funksionin e tij. Shtoi se revolta e studentëve është kundër narko-shtetit të Edi Ramës. Sipas Himçit, shteti është kapur nga krimi i organizuar dhe mafia.

“Kuvendi e ka humbur funksionin e tij. Revolta e studentëve është kundër narko-shtetit të Ramës dhe përfaqësuesve të krimit në qeverisje. Sot që ne flasim ka deputetë të vendosur nga krimi. Narko-shteti tregon se disa grupe kanë qeverinë në dorë dhe korrupsioni është shumë i përhapur. Takimet në Aruba kanë treguar se zyrtarët e shtetit kanë zhvilluar takime me krerët e organizatave kriminale. Shteti është kapur nga krimi i organizuar dhe mafia”, tha Himçi.

Më tej, theksoi se qeveria po kalon nisma të njëanshme. Himçi nënvizoi se narko-shteti i Ramës mbron korrupsionin e Ballukut.

“Është skandaloze sesi qeveria kalon nisma, që janë të njëanshme. Reforma territoriale ishte tërësisht e njëanshme. Kjo është e tmerrshme dhe me atë reformë, qeveria bëri të mundur që të largohen edhe shërbimet nga qytetarët. Protesta e qytetarëve, më e madhja në 36 vjet, kërkon largimin e kryeministrit Edi Rama.

Gjithë pjesa e FRPD-së është në shesh. Rama duhet të japë dorëheqjen. Të gjithë që jemi në shesh kërkojmë pikërisht këtë gjë. Ne kërkojmë qeveri teknike, kujdestare, që të përgatisi zgjedhje të ndershme. Vuçiç, edhe pse ishte autokrat, sërish pranoi zgjedhje dhe u largua me votë. Mos harrojmë se kriza nuk zgjidhet me dhunë policore, por me përgjegjshmëri  nga ana e kryeministrit. Edhe nëse protesta nuk ka, revolta nuk do mbarojë kurrë.

Ky narko-shtet mbron Belinda Ballukun, që akuzohet nga SPAK për një sërë veprash të rënda penale. Ngrenë kartonë për nisma që duan vetë, por jo për autorizimin për arrestimin e ish-zv kryeministres”, deklaroi Himçi.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb