Kryeministrja franceze Elisabeth Borne u bëri thirrje kompanive në Francë që të përgatisin një plan energjie deri në shtator. Thirrja vjen në mes të një krize energjie në mbarë Evropën për shkak të ndryshimeve klimatike dhe konfliktit midis Rusisë dhe Ukrainës.

Duke folur në një takim të Lëvizjes së Ndërmarrjeve të Francës (MEDEF), Borne tha se kërkohen synime të përbashkëta.

“Po hyjmë në një epokë të përgjegjësisë kolektive”, tha ajo.

“Ndryshimi i klimës nuk është më një e vërtetë e papërshtatshme, është një realitet shkatërrues. Ne duhet të zbatojmë zgjidhje radikale dhe novatore, të iniciojmë ndryshime të fuqishme në mënyrën se si prodhojmë dhe të investojmë në trajnime për punët e së nesërmes.”

Nëse Rusia do të shkurtonte të gjitha eksportet e gazit në Evropë, Francës do t’i duhej të gjente shpejt mënyra për ta “bërë tranzicionin ekologjik një mundësi për inovacion, rritje dhe punësim”, tha Borne.

Tashmë e dimë se këtë dimër do të kemi më pak gaz në krahasim me vitet e tjera”, tha ajo.

“Kjo krizë është një sfidë e re për solidaritetin evropian, sepse në këmbim, ne do të vuajmë fuqishëm pasojat e një ngadalësimi ekonomik evropian. Kemi vetëm një rrugë, konsumin më të ulët të energjisë.”

Në fillim të gushtit, ministrja e vendit për tranzicionin e energjisë, Agnes Pannier-Runacher tha se rezervat e gazit të Francës ishin tashmë 80 për qind të plota, në përgatitje për mungesat e mundshme këtë dimër.

Pannier-Runacher tha se Franca ishte përpara objektivave të saj dhe se rezervat e gazit do të mbusheshin 100 për qind deri më 1 nëntor.

Presidenti francez Emmanuel Macron gjithashtu pritet të mbajë një takim të këshillit të mbrojtjes të premten, për të diskutuar planin energjetik të Francës për dimër.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb