Kreu i PD Sali Berisha ishte sot i pranishëm në Shkodër, në ceremoninë e homazheve për katër personat e vrarë në 2 prill 1991.

I pyetur nga gazetarët në lidhje me protestat, Berisha u shpreh se kryengritja paqësore është një lëvizje e qëndrueshme dhe paralajmëroi se ajo do të vijojë deri në realizimin e qëllimeve.

“Kryengritja paqësore nuk është një ndeshje futbolli që mbaron brenda një afati, të gjithë do donim të ishte e tillë, por që në momentin që thuhet kryengritje paqësore, vetëkuptohet që ajo është një lëvizje e qëndrueshme dhe vazhdon gjer në realizimin e qëllimeve.
Prit se duhet të bëj transparencë para jush. Ju mund të thoni se çfarë bënë këto protesta? Këto protesta mbrojtën në një moment kritik nderin dhe dinjitetin e çdo shqiptari. Mjafton të rikujtoj këtu se ka shqiptarofobë të paguar nga Edi Rama, të cilët thonë se është në genin e shqiptarëve korrupsioni dhe e thonë këtë pasi Lubi Balluku u mbrojt nga Edi Rama dhe nuk ngrihet populli.
Populli është ngritur dhe populli do ngrihet dhe populli nuk pajtohet në mënyrë absolute me qeveritarët hajdutë”, tha ai.

Berisha foli gjithashtu edhe për dosjen e zëvendës kryeministres Belinda ballukut, e cila sipas tij ishte ajo që “mbylli” derën e integrimit në BE për Shqipërinë, ndërsa nuk la pa përmendur edhe dosjen e AKSHI-t.

“Tani u thoshte studentëve se shikoni se ato fuqitë e mëdha, shtetet e mëdha, prisni se herën tjetër do u thotë fuqitë imperialiste si etërit e tyre.
Fuqitë e mëdha, ua them unë, absolutisht gjer para dosjes Balluku, e mbajtën njërin sy të mbyllur. Pas luftës në Ukrainë u vendos të përshpejtohej procesi i integrimit për vendet që kanë mbetur pa integruar. Por edhe këtë, Edi Rama ua përplasi derën në fytyrë me dosjen e tij. Sepse nxori Ballukun përpara me ato dhe i mbylli dyert. I mbylli dyert sepse dosja Balluku është dosja e tij. Është e faktuar se 60% e të gjitha të dhënave të asaj dosje, citojnë Edi Ramën.
Është e faktuar se në dosjen e AKSHI-t, Mirlinda e varfra, e gjora me katër vila, që sipas Ramës na banonte në shtëpi me qira, nuk është asgjë krahasuar me Lindën e Surrelit, me sulltaneshën e Surrelit, e cila bënte ligjin tek AKSHI dhe e ka emrin qindra herë të cituar aty”, tha ai.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb