Komandantët rusë në Kherson përballen me kryengritje pasi i gjithë regjimenti refuzon të luftojë për shkak të mungesës së furnizimeve dhe pa pagesë, ndërsa Ukraina vazhdon një seri kundërsulmesh
Lufta në Ukrainë, në kushte të vështira dhe pa një qëllim të qartë në vetvete duket se i ka lodhur forcat ushtarake të Rusisë dhe zërat e parë kryengritës kanë nisur të dëgjohen, pikërisht në Khersonin e pushtuar dhe kontrolluar prej tyre.
Kështu, mediat ndërkombëtare raportojnë se komandantët rusë në Ukrainën jugore po përballen me rebelime masive pasi regjimentet kanë shprehur hapur refuzimin për të luftuar për shkak të mungesës së furnizimeve bazë me ujë dhe ushqim, por edhe faktit se janë lënë pa paguar për muajt e shpenzuar në betejë.
Regjimenti 127 rus i korpusit të parë të ushtrisë thuhet se ka injoruar urdhrat për t’iu bashkuar një beteje pranë në jug të Khersonit, sipas inteligjencës të cituar nga komanda operacionale jugore e Ukrainës.
Ushtarët që udhëhoqën rebelimin u thanë eprorëve se nuk mund të luftonin sepse kishin duruar javë të tëra mungese të ujit të pijshëm dhe racioneve të pakta të ushqimit.
Agjencitë ruse të inteligjencës GRU dhe FSB kanë hetuar individët përgjegjës për udhëheqjen e revoltës dhe i kanë hequr ata nga pozicionet e tyre, duke i lënë të ekspozuar përball një fati të tmerrshëm.
Shumë të ashtuquajtur ‘refuzues’ pritet të dërgohen në qendrat e paraburgimit në territorin e pushtuar nga Rusia, ku do të mbahen në kushte të tmerrshme dhe do të torturohen.
Regjimenti 127 është vetëm një nga disa njësitë ruse që kanë zgjedhur të injorojnë urdhrat në mes të konfliktit të vazhdueshëm në Ukrainë.
Pavarësisht rrezikut për të përfunduar në një kamp torture ose për t’u ekzekutuar, shumë trupa të Putinit kanë dhënë dorëheqjen masivisht nga detyrat e tyre, pasi kanë mësuar të vërtetën për konfliktin që kishin për detyrë të nxisnin.
Një njësi nga regjimenti i 113-të i të ashtuquajturës Republika Popullore e Donetskut në qershor postoi një video përmes aplikacionit të mesazheve Telegram, duke njoftuar se nuk mund të luftonin më për shkak të mungesës së plotë të pajisjeve dhe sëmundjeve, por eprorët e tyre interpretuan ankesat si sabotim.
Në pamje, komandanti mund të dëgjohet duke thënë: “Kompania jonë kapërceu të ftohtin dhe urinë dhe për një periudhë të konsiderueshme e bëmë këtë pa mbështetje materiale, pajisje mjekësore apo ushqim”.
(BalkanWeb)
