Këngëtari fierak Erind Xhaferaj ka mbërritur këtë të shtunë në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, ku do të njihet me masën e sigurisë pas arrestimit të tij dy ditë më parë.
Xhaferaj u arrestua nga Policia e Fierit pasi dyshohet se kryente veprime të turpshme pranë ambienteve të shkollës artistike “Jakov Xoxa”. Rasti u denoncua nga nxënëse të shkollës, të cilat njoftuan policinë përmes një telefonate.
Pas marrjes së informacionit, efektivët kanë verifikuar rastin dhe kanë ndërhyrë, duke ndaluar këngëtarin. Ai u shoqërua në ambientet e Policisë së Fierit, ku iu kryen veprimet procedurale dhe u mor në pyetje.
Sipas të dhënave të bëra publike, ndaj Xhaferajt është ngritur dyshimi për veprën penale “Vepra të turpshme”, ndërsa hetimet vijojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes.
Ditën e sotme, Xhaferaj do të dalë para trupit gjykues, të përbërë nga gjyqtari Noel Veizi dhe prokurori Skerdi Sinanaj, për t’u njohur me vendimin mbi masën e sigurisë.
Këngëtari do të përballet me vlerësimin e gjykatës lidhur me masën që do të caktohet ndaj tij, ndërsa hetimet për rastin vijojnë. Si në çdo procedim penal, Xhaferaj prezumohet i pafajshëm deri në një vendim gjyqësor të formës së prerë.
