Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë, Fortlumturia e Tij, Joani, ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në kuadër të Konferencës Ndërkombëtare në nderim të Kryepeshkopit të lumur Anastas, i ftuar nga Kryepeshkopi Elpidofor i cili e priti në aeroport së bashku me disa klerikë të tjerë.
Sipas njoftimit të Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë, më 1 mars 2026, të Dielën e Ortodoksisë, Kryepeshkopi Joan drejtoi Liturgjinë Hyjnore në Kishën e Shën Ekaterinës në Braintree, Massachusetts. Në Liturgji morën pjesë 15 Hierarkë nga të gjitha kishat e tjera Autoqefale, si edhe dy Episkopët e dioqezave shqiptare në Amerikë.
Triumfi i Ortodoksisë me praninë e Fortlumturisë së tij Kryepeshkopit Joan mblodhi së bashku në një Tryezë të shenjtë një numër kaq të madh përfaqësuesish nga Kishat Ortodokse autoqefale pas shumë vitesh.
Ndërsa më 2 mars, Kryepeshkopi Joan do të mbajë fjalën kryesore në Konferencën Ndërkombëtare në nderim të Kryepeshkopit të lumur Anastas, e cila do të zhvillohet nga data 2-4 mars në ambientet e Shkollës Theologjike të Patriarkanës Ekumenike “Kryqi i nderuar” në Boston.
Të Dielën tjetër në 8 Mars Kryepeshkopi Joan do të drejtojë Liturgjinë Hyjnore në Kishën Historike të Shën Gjergjit në Boston, themeluar nga Imzot Theofan Noli, i shoqëruar nga episkopi i Kryepeshkopatës shqiptare në Amerikë, Hirësi Nikodhimi.
