Në Tiranë u zhvillua gjatë paradites ceremonia e hapjes së Konferencës së 42-të të Shoqatës së Ish-studentëve Evropianë të Akademisë Kombëtare të FBI-së (FBINAA European Chapter), me pjesëmarrjen e mbi 230 përfaqësuesve të FBI-së dhe punonjësve të agjencive të ndryshme ligjzbatuese nga vendet e Evropës dhe më gjerë.

Në fjalën e tij, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skender Hita, vuri theksin te rëndësia e bashkëpunimit ndërkombëtar në luftën kundër krimit të organizuar, duke theksuar se rrjetet kriminale veprojnë përtej kufijve dhe përdorin gjithnjë e më shumë teknologjinë për të lëvizur paratë dhe njerëzit. Hita u shpreh se fakti që Shqipëria është mikpritëse e kësaj konference ndërkombëtare, me pjesëmarrjen e mbi 230 përfaqësuesve nga vendet evropiane dhe Shtetet e Bashkuara, tregon nivelin e bashkëpunimit dhe besimit të ndërtuar mes Policisë së Shtetit dhe agjencive ligjzbatuese partnere.

“Partneritetet ndërkombëtare nuk janë thjesht një nevojë institucionale, por janë rruga e vetme në luftën moderne kundër krimit të organizuar”, deklaroi Hita. Ai tha se shkëmbimi në kohë i informacionit, ndarja e ekspertizës dhe besimi mes agjencive mund të jenë vendimtarë në parandalimin e krimeve, identifikimin e rrjeteve kriminale dhe çmontimin e strukturave që veprojnë në disa shtete. Gjatë fjalës së tij, Hita u ndal edhe te zhvillimi i Policisë së Shtetit, duke deklaruar se institucioni është modernizuar përmes investimeve në teknologji, digjitalizimin e shërbimeve, analizën e të dhënave, hetimin kibernetik, strukturat operacionale dhe ato të antiterrorit.

Sipas tij, rezultatet e operacioneve të përbashkëta me FBI-në, DEA-n, EUROPOL-in, Interpolin dhe agjenci të tjera ligjzbatuese kombëtare e ndërkombëtare janë tregues të këtij bashkëpunimi. “Rrjetet kriminale veprojnë përtej kufijve, përdorin teknologjinë, lëvizin paratë dhe njerëzit nga një shtet në tjetrin dhe përshtaten me shpejtësi ndaj çdo mekanizmi të kontrollit. Prandaj, përgjigjja jonë duhet të jetë po aq globale”, u shpreh Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit.

Ai përmendi gjithashtu sakrificën e 232 punonjësve të Policisë së Shtetit që kanë humbur jetën në krye të detyrës, duke e cilësuar kujtimin e tyre si një betim për të vijuar përballjen me krimin. Në përfundim të fjalës, Hita garantoi se Policia e Shtetit do të vijojë bashkëpunimin me partnerët ligjzbatues kombëtarë dhe ndërkombëtarë, me fokus te shkëmbimi i informacionit, koordinimi dhe reagimi më i shpejtë ndaj krimit të organizuar dhe terrorizmit. “Ky është angazhimi ynë: më shumë besim, më shumë shkëmbim informacioni, më shumë koordinim dhe veprim më i shpejtë përballë krimit”, deklaroi Hita.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: