Në këtë trofe të çmimeve për Festivalin e Filmit Shqiptar “Noli” që nisi të premten në Boston, Mitropoliti Kryepeshkop Fan Noli paraqitet pa shenjat kryepriftërore (foto 1). Për më keq, nuk fytyrohet as si arqimandrit (prift i pamartuar me gradë), siç ishte para se të dorëzohej peshkop. Në këtë vepër arti Imzot Fan Noli na del si një prift i martuar në ndonjë fshat grek, pa kapelë e mbulesë dhe pa medalionin peshkopal (enkolpionin) në qafë.

Ka shumë foto online për të krijuar një Fan Nol të mirëfilltë, dinjitoz dhe madje madhështor, pa iu dhënë ushqim tallësve të tij dje dhe sot, si në këtë shëmbëllesë mohimtare.

Në foton bashkëngjitur (2) kemi një shembull mësimor, se si mund të paraqitet Fan Noli si klerik jashtë shërbesave, ku përveç kryqit ka edhe enkolpionin kryepriftëror, plus kamillafit dhe mbulesës së zezë në krye. Këto shenja e simbole kryepriftërore i hiqen dikujt vetëm nëse ka bërë ndonjë shkelje të rëndë fetare, si masa ndëshkimore. As armiqtë nuk guxuan t’ia heqin.

Në foto të tjera me veshje shërbestari, ai mund të realizohet artistikisht si meshtar, pa ia zbritur a përçudnuar tiparet, siç ka ndodhur me shtatoren e tij në Durrës, për parantezë, ku ai paraqitet me mitrën e shërbestarit në krye, por jo me teshat e meshtarit. Mirëpo mitra vihet në krye vetëm nëse peshkopi a kryepeshkopi është veshur me uniformën liturgjike. E vërteta është se kjo e fundit përbëhet nga disa shtresa me shumë detaje dhe kërkohet më tepër kohë dhe art, prandaj dhe autori shqiptar e “rrumbullakosi” për t’i rënë shkurt, duke ia zëvendësuar teshat liturgjike me rason e zezë, pa ditur se mitra liturgjike nuk vishet me raso, por vetëm me rrobat e meshës.

Kështu, në këto pamje të artit shqiptar, jepet përshtypja se Imzot Fan Noli nuk dinte të vishej si kryeprift…

Një tjetër zgjedhje është Fan Noli me kostum të zi dhe kollare të bardhë, siç vishej në takimet jashtë kishës. Kjo paraqitje është edhe më e përshtatshme kur ai përmendet për tema jo ortodokse, siç ishte festivali i filmit (Se çfarë lidhje ka Noli me filmin, a nëse filmi shqiptar nuk ka ndonjë emër të përveçëm e përfaqësor, kjo është një pyetje që pret ta ngrejë dikush tjetër, më i ditur). Dhe për të arritur një portret a shtatore të tillë, ku Imzot Noli mund të paraqitet me kostum të zi dhe kollare të bardhë, pra, ka plot foto të tij për t’u konsultuar. E kështu me radhë.

Gjithsesi, një zbritje e tillë, si në këtë trofe të Festivalit “Noli”, është denigrim, edhe pse pa dashje. Shpresoj dhe uroj që autori të mos jetë konsultuar me teologë a klerikë ortodoksë.

Le ta marrim këtë shkujdesje shqiptare si mungesë të ndërdisiplinimit të dijes; një simptomë e shumicës dërrmuese të autorëve të arsimuar gjatë diktaturës ateiste. Sa keq!

Ashtu si një gjenerali nuk mund t’ia mohosh yjet a spaletat në një pikturë a shtatore, apo t’i përziesh uniformën duke e paraqitur gjysmë ushtarak e gjysmë civil, njësoj duhet bërë edhe me një kryeprift, aq më tepër me një prelat të madh, ashtu siç ishte Kryepeshkopi Mitropolit, Imzot Fan Noli!

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb