Mbrëmjen e së mërkurës, Dinamo ka zhvilluar ndeshjen ndaj Partizanit, duke e fituar me rezultatin e pastër 2-0. Skuadra e drejtuar nga Ilir Daja, e kishte të fundit këtë sfidë për muajin tetor, duke mbyllur në këtë mënyrë një muaj fantastik që është për rekord në Superiore.

Të besuarit e Dajës kanë zhvilluar 4 ndeshja, nga të cilat kanë arritur të fitojnë 3 dhe kanë barazuar vetëm 1 kundër kampionëve të Egnatias. Kështu, nga 12 pikë të mundshme në këtë muaj, Dinamo ka arritur të marrë 10 të tilla, ndërkohë që pjesa e sulmit ka bërë një punë mjaft të mirë, e madje akoma më të mirë e ka bërë mbrojtja.

Në këto 4 ndeshje, Dinamo ka arritur të shënojë 6 gola, teksa nuk ka pësuar asnjë gol. I vetmi takim ku Dinamo nuk shënoi, ishte ndaj Egnatias që u mbyll në barazim pa gola, teksa të tria ndeshjet e tjera, kryeqytetasit i kanë fituar me rezultatin e pastër 2- 0.

Në nëntë ndeshjet e para që Dinamo ka zhvilluar, vetëm 4 gola janë pësuar ndërkohë që janë shënuar 14 gola të tjerë, duke pasur në këtë mënyrë një nga sulmet më të mira dhe së bashku me Egnatian, absolutisht me mbrojtjen më të mirë deri në këtë pikë të kampionatit. Katër golat që Dinamo i ka pësuar, janë shënuar nga skuadra të ndryshme dhe asnjë ekip që ka gjetur rrugën e rrjetës deri më tani, nuk ka mundur që të shënojë më shumë se një gol në sfidën përballë “nëndetëses”.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb