Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, në krye të një delegacioni parlamentar, po zhvillon një vizitë pune në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Në Kongresin Amerikan, Kryetari Peleshi dhe delegacioni parlamentar zhvilluan takime me Kryetarin e Nënkomisionit për Evropën në Komisionin e Punëve të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve, Keith Self, si edhe me Kryetarin e Nënkomisionit për Qeverisjen, Pete Sessions.

Gjatë këtyre takimeve u nënvizua se Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës gëzojnë një marrëdhënie të fortë, të qëndrueshme dhe strategjike, të ndërtuar mbi vlera të përbashkëta dhe një aleancë të palëkundur.

Kryetari Peleshi riafirmoi angazhimin e plotë të Shqipërisë ndaj Shteteve të Bashkuara, si partneri ynë kryesor strategjik, duke shprehur mirënjohje të veçantë për mbështetjen e vazhdueshme amerikane në integrimet euroatlantike të vendit dhe në zbatimin e reformave transformuese, me fokus të veçantë reformën në drejtësi.

U nënvizua rëndësia e marrëdhënieve dypalëshe dhe vullneti për të forcuar më tej bashkëpunimin në fusha me interes të ndërsjellë, në përputhje me prioritetet strategjike dhe politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, nën udhëheqjen e Presidentit Trump.

Ky bashkëpunim po forcohet më tej edhe përmes angazhimit në Bordin e Paqes të SHBA-së, ku Shqipëria është Anëtare Themeluese, pjesëmarrje e ratifikuar edhe nga Kuvendi i Shqipërisë.

Në takimin me Kongresmenin Keith Self, Kryetari i Kuvendit vlerësoi paraqitjen në Kongres të nismës ligjore “The Presheva Valley Discrimination Assessment Act”, e cila kërkon që Departamenti i Shtetit të raportojë mbi trajtimin e pakicave etnike nga Serbia, me fokus të veçantë te shqiptarët e Luginës së Preshevës. Gjithashtu, u diskutua mbështetja e vazhdueshme e Shteteve të Bashkuara për integrimet euroatlantike të Kosovës dhe rëndësia e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Gjatë takimeve u theksua se Shqipëria ka krijuar një klimë shumë pozitive për investimet amerikane, si dhe roli i rëndësishëm i diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës si faktor miqësie dhe urë bashkëpunimi mes dy vendeve.

Në këto takime, Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, shoqërohej nga deputetët Damian Gjiknuri, Ilirian Pendavinji, Gazment Bardhi, Fatmir Mediu, Jorida Tabaku, Albana Vokshi, Ivi Kaso, Belind Këlliçi si dhe Klevis Balliu.

Kjo vizitë përbën një tjetër hap të rëndësishëm në thellimin e partneritetit strategjik ndërmjet dy vendeve dhe në rritjen e rolit të diplomacisë parlamentare shqiptare në arenën ndërkombëtare si edhe bashkëpunimin mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Kongresit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb