Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku tha se Kosova është bërë lajm në media ndërkombëtare për krizën e energjisë elektrike, sepse qeveria, sipas tij, ka nisur të merret me të me 6 muaj vonesë.

Abdixhiku tha në Kuvendin e Kosovës se kriza në Kosovë është më e veçantë nga ajo që i ka përfshirë vendet e rajonit dhe ato evropiane.
“Kosova është në krizë energjetike. Është në terr, reduktime, agregatë dhe qirinj. Aq krizë, saqë bëhemi lajm sërish – për të keq natyrisht – në mediat ndërkombëtare. E kur bëhesh lajm për të keq në mediat ndërkombëtare, do të thotë se kriza këtu është më e dalluar, më e veçantë”, tha Abdixhiku.

Ai tha se kryeministri u thotë qytetarëve se rryma në vend është e lirë “si parapërgatitje për rritje të çmimit, pa ndonjë efekt lehtësues më pas”.
“Ajo çfarë e diferencon sasinë e furnizimit në Evropë, është angazhimi i vetë qeverive, i vetë shtetit. Ato nuk janë spektatore”, tha kryetari i LDK-së.

Ai tha se qeveritë e vendeve evropiane janë marrë me temën e energjisë elektrike qysh në korrik të këtij viti.
“S’janë ankuar për kapacitete që s’i kanë, por kanë vepruar shpejt. Prandaj këto shtete tani i furnizojnë qytetarët e tyre me energji elektrike”, tha Abdixhiku.

Qeveria sot e ka sjellë në Kuvend vendimin me masat për përballje me krizën e energjisë elektrike. Ky vendim u prezantua në fillim të seancës së Kuvendit nga ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb