Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (Ish-KQZ) me anë të Komisionit Rregullator ka votuar me unanimitet miratimin e karakteristikave teknike që do përdoren për identifikimin biometrik të votuesve.

Kështu, në zgjedhjet e 25 prillit do të aplikohet për herë të parë identifikimi i votuesve nëpërmjet teknologjisë.

Projektvendimi u relatua nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve,  Ilirjan Celibashi dhe Nënkomisionerja, Lealba Pelinku.

Pas diskutimeve Komisioni Rregullator në unanimitet vendosi që në zgjedhjet për Kuvendin të datës 25 Prill 2021, procesi i identifikimit të zgjedhësve në të gjithë qendrat e votimit (QV), në territorin e vendit, do të kryhet me ndihmën e pajisjeve elektronike.

Në njoftimin e KSHZ thuhet se ”Për identifikimin e zgjedhësve do të implementohet Sistemi Elektronik i Identifikimit të Votuesve (SEIV) dhe do të përdoren Pajisje Elektronike të Identifikimit (PEI) të vendosura në çdo qendër votimi, të cilat do të sigurojnë identifikimin e saktë të zgjedhësve, bazuar në regjistrin elektronik të mbajtur në pajisje.

SEIV duhet të ofrojë të gjitha modulet e nevojshme “softëare” si dhe pajisjet “hardëare” që do të mundësojnë menaxhimin e listës së zgjedhësve dhe të dhënat e votuesve, menaxhimin e pajisjeve elektronike të identifikimit, si dhe të kryqëzimit të të dhënave të identifikimit të të gjitha pajisjeve elektronike të identifikimit pas përfundimit të votimit, për të gjurmuar votimin e të njëjtit zgjedhës më shumë se një herë në të njëjtën qendër votimi, në më shumë se një qendër votimi dhe/ose në emër të zgjedhësve te tjerë.

Procesi i identifikimit elektronik duhet të përfshijë të njëjtat parime identifikimi sikurse kryhet në kushte manuale, dhe nuk duhet të ndryshojë thelbësisht apo të zgjasë a vështirësojë procesin e identifikimit të zgjedhësve.

Vendimi i miratuar nga Komisioni Rregullator përcakton një sërë karakteristikash teknike të sistemeve dhe pajisjeve të teknologjisë së informacionit që do të përdoren në zgjedhjet për Kuvendin e Shqipërisë”.

KSHZ miratoi kështu vendimin për identifikimin elektoronik te zgjedhësve. Tani nis puna për zbatimin. Këshilli i Ministrave duhet të japë fondet brenda datës 19 nëntor për zbatimin e plotë të projektit, i cili u kërkua nga PD dhe opozita.

(Balkanweb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb