Edmond Budina, aktori e regjisori i vënë në qendër të polemikave dhe qëndresës për godinën e Teatrit Kombëtar, ka zgjedhur një vend të pazakontë për të luajtur pjesën e tij më të re “Profeti i kokoshkave”. Një alegori mbi delirin njerëzor, frymëzim për të reaguar për atë që e sheh si nxitje për të ndryshuar gjërat, e ka konsideruar Budina shfaqen teksa ishte i ftuar në emisionin “Vila 24” moderuar nga Androniki Kolka. Skenografia e ngritur në një dhomë të banesës, letrat higjenike e gazetat e përdorura tërheqin vëmendjen.

“Pjesa e sipërme është me gazetë si propaganda e njeriut delirant që di vetëm të shesë, e kur i heq propagandën mbetet lakuriq.”-thotë ai kur sqaron detajet si mjete shprehëse. “U jam drejtuar të gjithë njerëzve që e gjejnë veten tek idetë që unë hedh.”-shton Budina kur biseda ka ndalur tek mesazhi i pjesës “Profetit i kokoshkave”. Më tej ai flet për jetën private, fëmijërinë, një incident gjatë viteve në Akademinë e Arteve dhe se si e shpëtoi regjisori Mihallaq Luarasi.

Budina kujton se sa fort ka ndikuar shfaqja e vënë në skenë prej tij e veprës së Ismail Kadaresë, “Natë pa hënë”. “Vihej në lojë Komiteti Qendror, ish-diktatori Enver Hoxha. Në sallë m’u desh të jepja lajmin se Kadare kishte kërkuar strehim politik. U thashë spektatorëve të mos çanin kokë dhe aty janë ngritur për herë të parë dy gishtat e thirrjes “Liri-Demokraci”. Një student me tha se ishte frymëzuar nga pjesa. Ai ishte Azem Hajdari.”-kujton me shumë nostalgji Budina. I pyetur për familjen, regjisori Budina flet për të shoqen, Sonjën dhe zhvendosja e tyre familjarisht për në Itali, puna e mundimshme në fabrikë dhe sakrifica për të mos u shkëputur nga arti. “Im shoqe ishte frymëzimi i rolit tek “Luiza Miller”. Mbështetje e jashtëzakonshme. Në Itali, në fabrikën ku punoja nuk më jepnin leje të shkoja të interpretoja. Merrja trenin, regjistroja 2 pjesë tek seriali  rresht “Un posto al sole” dhe kthehesha në mëngjes herët.”- shkëput rrëfimin Budina për fillimet e jetës në Itali ku edhe ka realizuar një numër pjesësh të mira artistike dhe filma.

Kureshtjes së Kolkës për të veçuar ndonjë emër artisti në Shqipëri, Budina thotë se pikë reference zgjedh aktorin e regjisorin Piro Mani. “Ka qenë mësuesi im, udhëheqësi im në regji. Ka vënë në skenë drama shqipe që ishin shumë skematike, pikaste mënyra si krijonte karakteret. Ia kam vjedhur profesionin.” -buzëqesh ai teksa flet për mikun e tij. Në fund e mbyll me një mesazh kuptimplotë duke thënë se parimi numër 1 në art, është të jesh modest. Budina pret të nisë një tur të shfaqes së tij “Profeti i kokoshkave” nëpër Shqipëri duke respektuar edhe masat kundër pandemisë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb