Policia e Lushnjës ka vendosur në pranga 27-vjeçarin, Klodian Derivishi, pasi ky i fundit, kishte përshtatur lokalin, në ambient ku ushtrohej në mënyrë të paligjshme lojërat e fatit.

Gjatë kontrolleve në lokalin e 27-vjeçarit, Policia ka gjetur dhe sekuestruar 4 aparatura të lojërave të fatit, 1 laptop, 2 tableta dhe 7 televizorë, që shërbenin për ushtrimin e aktivitetit të paligjshëm.

Dervishi akuzohet për “organizim të lotarive të palejuara dhe vënia në dispozicion e lokalit për lojëra të palejuara”, ndërsa materialet i kanë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë, për veprime të mëtejshme.

Njoftimi i plotë i Policisë:

Lushnjë

Vijojnë kontrollet për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Si rezultat i kontrolleve është goditur një rast i aktivitetit të kundërligjshëm në fushën e lojërave të fatit.

Sekuestrohen pajisjet elektronike që shërbenin për ushtrimin e këtij aktiviteti, arrestohet në flagrancë administratori i lokalit ku ushtrohej aktiviteti.

Në vijim të punës për evidentimin dhe ndëshkimin e paligjshmërisë, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë është bërë i mundur evidentimi dhe goditja e një rasti të ushtrimit të aktivitetit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, në qytetin e Lushnjës. Gjatë kontrollit në lokalin e marrë me qira nga shtetasi K. D. u gjetën dhe u sekuestruan 4 aparatura të lojërave të fatit, 1 laptop, 2 tableta dhe 7 televizorë, që shërbenin për ushtrimin e aktivitetit të kundërligjshëm të lojërave të fatit.

Në përfundim të veprimeve hetimore, nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lushnjë u arrestua në flagrancë shtetasi K. D., 27 vjeç, banues në Lushnjë, për veprat penale “Organizim i lotarive të palejuara” dhe “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë, për veprime të mëtejshme.

(BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb