Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar sot nga detyra prokurorin e Beratit, Tasim Puci. Menjëherë pas shpalljes së vendimit, prokurori Puci ka ndjekur nga pas anëtarët e trupës gjykuese, teksa po dilnin nga salla. Ai i ka pyetur radhazi anëtarët e KPK se “Ku do më çoni tani”?
Reagimi i Pucit shkaktoi për një moment tension në sallë, por situata u qetësua me ndërhyrjen e forcave të sigurisë, të cilët i treguan se nga duhet të dilte.
“Jam pa shtëpi e katandi,” tha prokurori i saposhkarkuar përpara se të largohej nga salla.
Procesi i vetingut për prokurorin e Prokurorisë së Beratit, Tasim Puci, u krye nga trupa e kryesuar nga Olsi Komici, me relatore Suela Zhegu dhe anëtare Genta Tafa Bungo. Sipas relatimit, ai u gjet me probleme në të tre kriteret e rivlerësimit.
Gjatë seancës dëgjimore, prokurori Puçi u pyet në lidhje me një kontratë noteriale, në të cilën ai rezultonte pronar i një apartamenti, të cilin ia kalonte vjehrrit dhe disa shkëmbime financiare me këtë të fundit. Puçi pretendoi se nuk kishte asnjë pasuri dhe kërkoi konfirmimin në detyrë.
