Në “remake”-un e ndeshjes së parë, Paris Saint-Germain rrezikon shumë, por arrin të kualifikohet ndaj AS Monaco falë barazimit 2-2 në takimin e kthimit, jo pa emocione të forta. Skuadra e drejtuar nga Luis Enrique shkon në 1/8-at e finales, ku do të përballet me Barcelonën ose Chelsean.

Monako e nis më mirë dhe shpërdoron menjëherë një rast të artë me Coulibaly, duke ushtruar presion dhe frikësuar kampionët e Europës në minutat e para. Doué dhe Zaire-Emery provojnë të reagojnë për vendasit, por pa saktësinë e duhur. Ndryshe nga ta, Akhliouche tregohet i ftohtë: nis aksionin dhe e përfundon vetë me një goditje të saktë përdhe për 1-0 në minutën e 45-të.

Në pjesën e dytë, Joao Neves zgjon PSG-në dhe, si edhe një javë më parë, ndeshja ndryshon pas një kartoni të kuq: Coulibaly ndëshkohet me të dytin e verdhë në minutën e 58-të, duke lënë Monakon me dhjetë lojtarë. Që nga ai moment, loja merr tjetër drejtim. Marquinhos barazon si një sulmues i mirëfilltë pas asistit të Doué.

Situata përkeqësohet për miqtë kur në minutën e 66-të vjen përmbysja: goditje e fortë e Hakimi, devijim i Köhn dhe Kvaratskhelia shënon në zonë për 2-1. Portieri zviceran shmang golin e tretë dhe mban gjallë shpresat e Monakos, që në fund i afrohet mrekullisë: Teze barazon në minutën e 90-të pas asistit të Adingra.

Në shtesë, Faes i afrohet golit dramatik që do të çonte ndeshjen në kohë shtesë, por pa sukses. Me drithërima deri në fund, PSG siguron kualifikimin dhe vazhdon mbrojtjen e titullit në fazën e 1/8-ave.

Luis Hernqie në përfundim të takimit, theksoi se skaudra që ai drejton e meritoi kualifikimin, pavarësisht vështirësive që hasi: “Ishte shumë e vështirë. Pavarësisht atmosferës në stadium dhe gjithë tifozëve, është një situatë shumë e komplikuar kur vjen pas fitores në ndeshjen e parë,” tha spanjolli.“Në pjesën e parë nuk ishim mjaftueshëm të mirë, bëmë shumë gabime dhe nga ana tjetër Monaco zhvilloi një pjesë shumë të mirë.Folëm për këtë në pushim, duke vendosur të luanim pak më thjesht, dhe mendoj se pjesa e dytë ishte shumë ndryshe. E merituam kualifikimin, por na u desh të vuanim gjatë gjithë kohës. Nëse ka një skuadër që është mësuar ta përballojë vështirësinë, ajo jemi ne.”, përfundoi spanjolli i parizienëve.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: