TIRANE – Sipas Ministrisë së Financave, kufiri i pataksueshëm për blerjet online, përafron standardin me Bashkimin Europian dhe vendet e rajonit.

“Vendimi i qeverisë ndryshoi kufirin e pataksueshëm në doganë për dërgesat e mallrave me karakter jotregtar, të cilat kanë një vlerë të papërfillshme të përcaktuar në vendim, përkatësisht për blerjet online nga interneti në masën 22 Euro dhe për dërgesat nga një individ jashtë Shqipërisë pranë një individi në territorin shqiptar në masën 45 Euro. VKM ka hyrë në fuqi pas publikimit në Fletoren Zyrtare në datën 3 Gusht 2016 dhe nuk ka fuqi prapavepruese”, – deklaron Ministria e Financave.

Ndryshimi, sipas MF-së, “është bërë në përputhje dhe në përshtatje me rregullat e BE-së dhe konkretisht të Direktivës 2009/132/EC dhe Direktivës 2006/79/EC, në respektim të rregullave të konkurrueshmërisë në tregun rajonal, europian por edhe në tregun e brendshëm”.

“Në zbatim të parimeve bazë të aplikimit të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, ky tatim është një tatim mbi konsumin që si i tillë, aplikohet mbi çdo mall që importohet në territorin e Shqipërisë. Në zbatim të këtij parimi si dhe për të evituar informalitetin në rastet kur dërgesat e tilla përdoren edhe për qëllime tregtare, të gjitha vendet e BE-së dhe rajonit kanë standardizuar rregullin duke rishikuar kufirin në jo më shumë se 22 euro”, vijon Ministria e Financave.

Lidhur me procedurën që do të ndiqet në vijim, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave në bashkëpunim dhe koordinim me Postën Shqiptare po zbardhin procedurat me qëllim thjeshtësimin e tyre në favor të qytetarëve. Kështu, Posta shqiptare do t’u mundësojë qytetarëve plotësimin e deklaratës doganore elektronikisht dhe arkëtimin e detyrimit doganor. Qytetarët mund ta kryejnë procedurën e zhdoganimit, pagesën dhe tërheqjen e objekteve postare pranë zyrave postare në qytetet ku ata banojnë

Në tabelën më poshtë renditen të gjitha vendet anëtare të BE-së dhe kufiri përkatës (në rastet e vendeve me monedha të ndryshme, i ekuivalentuar në euro) ku shihet shumë qartë se edhe vendi ynë e ka harmonizuar këtë kufi me të gjithë vendet e tjera të BE-së dhe të rajonit.

Kufiri për përjashtimin nga TVSH për mallrat e importuara – vendet e BE:
Shteti Kufiri i pataksueshëm (ekuivalent me monedhën vendase)
Austria 22 euro
Belgjika 22 euro
Bullgaria ~15.34 euro
Kroacia ~ 20.85 euro
Qipro 17 euro
Republike Ceke 22 euro
Danimarka ~10.75 euro
Estonia 22 euro
Finlanda 22 euro
Franca 22 euro
Gjermania 22 euro
Greqia 22 euro
Hungaria ~18.82 euro
Irlanda 22 euro
Italia 22 euro
Letonia 22 euro
Lituania ~21.72 euro
Luksemburgu 22 euro
Malta 22 euro
Holanda 22 euro
Polonia 22 euro
Portugalia 22 euro
Rumania 10 euro
Spanja 22 euro
Sllovakia 22 euro
Sllovenia 22 euro
Suedi 22 euro
Mbretëria e Bashkuar ~19.23 euro

Rajoni
Kosova 22 euro
Maqedonia 22 euro
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb