Kuvendi u përfshi dje në një situatë kaotike për shkak të bllokimit që opozita i bëri foltores. Zhurmë, tension dhe vezë të hedhura në drejtim të kryeministrit Rama ishin “kryefjala” e punimeve parlamentare.
DEBATET ME DHE PA MIKROFON NË SEANCËN E DJESHME PARLAMENTARE
Zbardhur nga Gazeta Shqiptare
EDI PALOKA: Ky parlament nuk funksionon. Mbyllet këtu. Ose vendosim të ecim pa krimin, ose nuk ka më asnjë seancë. Me krimin vazhdo ti, ti që e ke kthyer partinë laborator të trafikantëve. Ne dhe qytetarët nuk të vijmë pas. Kalojmë sot, kalo tani propozimin tonë që pezullon të zgjedhur e funksionarë të arrestuar në kushte flagrance plagosjeje apo vrasjeje me dashje. Kalojmë sot vendimin e Kuvendit për zbatimin e dekriminalizimit. Kalojmë sot, i kalojmë tani kërkesën Gjykatës Kushtetuese për mbarimin e mandatit të deputetëve që janë kapur në shkelje të Kushtetutës, duke marrë miliona euro dhe hekurudhën për vete dhe për fëmijët, Koço Kokëdhima, Rakip Suli e Valentina Leskaj. Ose ndryshe parlament nuk ka më. Me krimin, me korrupsionin, me shkeljen e Kushtetutës për xhepat e Kokëdhimës, Rakip Sulit e Vali Leskajt, me këto akte të rënda ulur në këto karrige, parlament nuk ka.
VALENTINA LESKAJ: Meqenëse përmendët emrin tim, po iu tregoj kërkesën që keni bërë me shkrim. Nuk e mashtroni dot opinionin publik. Kërkesa juaj i është drejtuar Këshillit të Mandateve dhe unë e kam kërkuar të shqyrtohet brenda javës dhe është shqyrtuar brenda javës. Këtu bëjmë diferencën në moral dhe në standarde. Jemi shumë larg, mos e hap gojën se jemi shumë larg! Mos mashtroni opinionin publik!
Deputetet e PD-së: Nuk mund të vazhdojë seanca
Deputetja e PD-së, Albina Dedaj, gjuan kryeministrin Rama me një letër të mbledhur në grusht.
Kryeministri, i cili u bë gati të ikte, u kthye nga deputetët e opozitës dhe i tha zj.Deda,
EDI RAMA: Ku e fute moj që u lag
(Flamur Noka tenton të depërtojë gardistët për t’u ngjitur te vendi ku ishte ulur kryeministri Rama)
(Deputeti i PD, Bedri Hoxha gjuan me vezë kryeministrin si kundërpërgjigje për thënien e Ramës)
EDI RAMA: Mitrën, mos e mbaj vezën në dorë, por fute në mitër.
JOZEFINA TOPALLI: O zonjë, dua fjalën!
VALENTINA LESKAJ: Për çfarë, për procedurë? Një moment, ka diskutime për projektligjin, për masat shtesë për sigurinë publike.
JOZEFINA TOPALLI: Zonjë, sot (dje) nuk ka seancë plenare. Zonjë, ju vetëm tregoni sa frikë keni kur nuk pranoni të respektoni rregullore për të futur në rendin e ditës propozimin që ka sjellë grupi parlamentar i Partisë Demokratike. Që sot, nesër dhe kurrë më në këtë parlament nuk mund të fusim kriminelë, që me armë brenda komisariateve qëllojnë mbi qytetarët e tyre. Lexo nenin e rregullores. Ju e keni për detyrë, meqë nuk është kryetari i parlamentit, për të hedhur në votim dhe me 3/5 e votave hyn në rendin e ditës propozimi i grupit tonë parlamentar. E dyta, mos u nervozoni ju, se duhet të nervozohen qytetarët shqiptarë kur iu thonë se keni marrë si familje koncesionin e gjitha hekurudhave.
VALENTINA LESKAJ: E ke mashtrim.
JOZEFINA TOPALLI: Ju përdorni mandatin e deputetit dhe të ministrave për pasurimin tuaj. Dhe e treta, që është më e rënda, është më e ndershme që ju dhe kryeministri, mos u bëj me nerva ti zoti Rama, të ikni prej atje që të rrijë Armandoja dhe gjithë armandot e tjerë në vendin e kryeministrit dhe të parlamentit. Ky parlament është i kriminalizuar nga fillimi deri në fund. Nuk është faji i Armandos që vjen këtu. Ka vetëm një emër dhe ai është Edi Rama, i cili i ka futur këtu për të mbajtur peng dhe për të terrorizuar njerëzit dhe qytetarët. Parlament me krim brenda nuk ka. E mira është që të ikësh nga ai vend se ke konflikt interesi.
VALENTINA LESKAJ: Për projektligjin për masat shtesë për sigurinë publike ka diskutantë? Nuk ka. Atëherë kalojmë te dekretet.
Deputetët e PD-së kundërshtojnë, ngrenë zërin…
GRAMOZ RUÇI: Sigurisht që është në të drejtën e opozitës…
Deputetët e PD-së u bien edhe më fort tavolinave që të mos dëgjohet Ruçi.
GRAMOZ RUÇI: Bjeri më fort, por kujdes mos vrasësh dorën… kryetare do më ndiqni? Ju lutem krijoni mundësinë për t’u shprehur qoftë me votë dhe qoftë me fjalë, prandaj iu lutem akordoni pushim për t’iu kthyer më pas normalitetit.
JOZEFINA TOPALLI: Jo me kriminelë brenda.
(Deputetja e PDsë, Arbjola Halimi, kërkon të çajë rrethimin e gardës)
Erjon Braçe: Kujdes se kap ndonjë gjë të fortë aty. Mos i fut duart…
Arbjola Halimi (bërtet): Qepe gojën, ore ti…
(Deputeti i PDsë, Bedri Hoxha, nxjerr nga çorapet një vezë dhe godet Kryeministrin, veza përplaset te ministrja Ermonela Felaj)
(Pas votimit Valentina Leskaj largohet me vrap, Bedri Hoxha nxjerr vezën e dytë nga çorapet dhe godet Edi Ramën)
Edi Rama: Ku je këtu, budalla…?! Je në terezi?!
Bedri Hoxha: Ik ore, b…q…
(Gent Strazimiri godet me vezë Kryeministrin, përplaset në mur, shoqëruesi i Ramës e mbron me çadër).
(d.b/BalkanWeb)
