ELBASAN-Ka përfunduar ndeshja mes Kukësit dhe moldavëve të Sherif Tiraspolit në ‘Elbasan Arena’. Pavarësisht se kampionët e Shqipërisë fituan me rezultatin 2-1, ky rezultat nuk ka mjaftuar për t’u kualifikuar pasi në ndeshjen e parë në Moldavi humbën 1-0. Gjatë takimit nuk kanë munguar kartoni i kuq, penalltia dhe shtyllat, por Kukësi ka qenë i pafat për të gjetur golin e tretë.
Kampionët e Shqipërisë kanë kaluar në avantazh në minutën e 35 me golin e Izair Eminit, ndërsa goli i dytë ka ardhur në minutën e 45′ nga Pero Pejic duke rihapur kualifikimin për në turin tjetër.
Por rezultati është ngushtuar me fillimin e pjesës së dytë, teksa skuadra e Sherif ka shënuar me anë të Cyrille Bajala në minutën e 62 duke çuar shifrat në 2-1. Në minutën e 77 të takimit, De Noijer ndëshkohet me kartonin e dytë të verdhë pas një faulli ndaj Pejic duke lënë moldavët me 10 lojtarë. Në minutën e 89’ Pejiç humb një tjetër rast të jashtëzakonshëm për Kukësin duke mos shënuar një penallti pasi portieri moldav tregohet i vemendshem.
Kukësit i duhej një fitore me dy gola diferencë për të arritur kualifikimin në turin e tretë të Ligës së Kampioneve, por fatkeqësisht nuk ja arriti dhe në këtë mënyrë mbetet jashtë Europës.
MINUTE PAS MINUTE:
90’+4’ Shtylla nxjerr Kukësin jashtë Europës. Një harkim nga e djathta i Kariokës, gjen Serran në zonë. Mbrojtësi gjuan me portierin e mposhtur, por godet shtyllën pingule.
90’+1’ Pejiç provon edhe me armën e tij më të fortë, gjuajtjet me kokë, por nuk gjen kuadratin, me sferën që përfundon jashtë, ngjitur me shtyllën.
90’ Vetëm 3 minuta shtesë.
89’ Pejiç humb një tjetër rast të jashtëzakonshëm para portës. Zeqiri e nxjerr të vetëm para Mikuliç por sulmuesi nuk arrin ta kalojë me gjuajtjen e tij, i ndalur saktësisht nga gardiani i moldavëve.
85’ Fati është përsëri kundër Kukësit. Këtë radhë gjuajtja e Eminit ndalet nga traversa.
77’ Mundësi e mirë e Kukësit për të marrë kontrollin e lojës. De Noijer ndëshkohet me kartonin e dytë të verdhë pas një faulli në mesfushë ndaj Pejiç, duke lënë moldavët me 10 lojtarë në fushë.
71’ Kombinimi i radhës Badibanga-Brezovec me këtë të fundit që gjuan drejt portës, por gjen të gatshëm Koliçin që nxjerr topin në fundore.
69’ Kukësi duket plotësisht i demoralizuar pas golit të pësuar dhe i ka lëshuar kontrollin e lojës kundërshtarit. Deri tani, Naser dhe Karioka janë shumë larg paraqitjes së Kale dhe Gurit në pjesën e parë.
56’ Vjen goditja e papritur për Kukësin. Pas një harkimi nga e djathta, Bajala devijon topin me kokë në portën e Koliçit. 2-1 dhe tani fati i kualifikimit është përsëri në duart e Sherif. 2-1
52’ Skemë në goditje dënimi e Sherif. Brezovec përdor skemë dhe nxjerr Leite në të majtën, por gjuajtja e tij bllokohet nga Koliçi i cili nis një kundërsulm të shpejtë të kuksianëve. Emini hyn në zonë por gjuan shumë lehtë në vend që të pasonte për Pejiç i cili ishte i lirë në pozicion të favorshëm.
49’ Harkim i gjatë në zonën moldave nga e majta e sulmit të Kukësit, Mikuliç grushton topin në këndore para se Guri të gjuante me kokë.
46’ Pjesa e dytë fillon me zëvendësim në radhët e Kukësit, në fushën e lojës futet Naser, i cili zë vendin e Kale.
Mbyllet pjesa e parë me rezultatin 2-0.
40′ GOL Pejiç. 2-0 dhe Kukësi në kontroll. Kale bën një pasim të shkëlqyer te Emini, i cili nxjerr Pejiç të vetëm me portën e boshatisur. Kroati nuk gabon dhe afron Kukësin me kualifikimin.
35’ GOL Izair Emini. 1-0 dhe kualifikim i hapur plotësisht.
26’ Moment i vështirë para portës së Koliçit. Bajala hyn me lehtësi nga e djathta në zonë por nuk gjen momentin për të goditur. Sulmuesi pason për Brezovec që gjuan nga jashtë, por Serran devijon sferën duke larguar rrezikun.
22’ Pejiç ul topin me kokë për Eminin i cili gjuan me forcë, pa rrezikuar portën e Mikuliç pasi sfera fluturon shumë lart mbi traversë.
20’ Aksion i zgjatur i Kukësit që insiston me harkimet nga krahët për të shfrytëzuar shtatlartësinë e Pejiç. Në një aksion të tillë, pas një harkimi nga e djathta, kroati lë që topi të kalojë drejt Kale në shtyllën e dytë, por Sushiç shpëton portën me një ndërhyrje vendimtare.
11’ Emini sheh Kale që futet në zonë dhe jep një top mjaft interesant për brazilianin i cili gjuan në ecje e sipër, por Sushiç devijon sferën jashtë vijës fundore. Goditja nga këndi pasardhëse nuk prodhon rrezikshmëri për katërkëndorin e skuadrës moldave.
7’ Badibanga shpërthen në krahun e majtë dhe pasi i merr kohën Hallaçit, harkon në qendër për Mugosha, i cili thjesht e devijon me kokë, pa arritur që të gjuajë drejt portës.
5’ Tjetër aksion i rrezikshëm i Kukësit. Emini i kalon topin Pajiç, i cili e kontrollon dhe ka mundësi të pasojë për Gurin dhe Kale. Sulmuesi kroat gabon në zgjedhjen që bën duke e dhënë topin me forcë, ndërsa Guri nuk e arrin atë për të gjuajtur drejt portës kundërshtare.
2’ Emini tregon menjëherë rrezikshmërinë e tij, duke marrë topin në gjysmëfushën kundërshtare për të gjuajtur drejt portës, por pa gjetur kuadratin.
1’ Sherif luan topin e parë nga qendra dhe fillon ndeshjen.
Formacionet Kukësi-Sherif:
Kukësi: Koliqi, Shameti, Serran, Hallaçi, Rrumbullaku, Musolli, Lena, Guri, Kale, Emini, Pejiç.
Trajner: Ernest Gjoka
Sherif: Mikuliç, Raku, Posmac, Sushiç, Badibanga, Leite, Anton, De Noijer, Brezovec, Mugosha, Bajala.
Trajner: Roberto Bordin
Gjyqtar: Irfan Peljto (Bosnjë-Hercegovinë)
(d.d/BalkanWeb)
