NGA JETON SELIMI
Pas spekulimeve se është i pakënaqur dhe do të largohet nga Partizani, nëpërmjet faqes zyrtare të klubit, Renato Arapi mohoi gjithçka. Mbrojtësi durrsak u shpreh i lumtur për faktin që luan në radhët e të kuqve. Ai e cilësoi zgjedhjen e tij vendimin për të ndryshuar ambient, pas gjashtë sezoneve ku mbrojti ngjyrat e Skënderbeut dhe u shpall po kaq herë kampion i Shqipërisë. Arapi u shpreh i motivuar nga aventura e re dhe objektivi i tij është që të japë kontributin për një klub legjendar si Partizani.
Në fjalët e tij për faqen zyrtare, edhe pse pranoi vështirësitë e fillimit me realitetin e ri, 30-vjeçari theksoi ndihmën nga të gjithë në skuadër, të cilët po ia lehtësojnë punën. “Partizani është një ekip i madh dhe me një fanellë që peshon. Kemi shumë detyrime ndaj tifozërisë dhe po punoj që të përshtatem sa më shpejt me shokët e skuadrës”, tha mbrojtësi, që më pas sqaroi edhe çështjen e pozicionit në fushë.
Sipas tij, aktivizimi në qendër të mbrojtjes në ndeshjet ndaj Slovan Bratislavës dhe Ferencvaros nuk është diçka e re, sepse megjithëse është një mbrojtës i majtë natyral, Arapi e ka mbuluar këtë rol edhe në të kaluarën, jo vetëm te Skënderbeu, por edhe në Kombëtare. Një sqarim pozicioni për të hedhur poshtë të gjitha spekulimet dhe për të bërë që skuadra të jetë e qetë në përgatitjet për sfidën e kthimit me Ferencvaros, ku pas barazimit 1-1 në “Elbasan Arena”, Renato Arapi beson se Partizani mund t’ia dalë mbanë në ndeshjen e kthimit në Hungari.
EMINI
Izair Emini duket se nuk po kalon një periudhë të mirë, teksa pas ndeshjes së parë me Rudar Pljevlja, ishte presidenti Gjici që e kritikoi publikisht sulmuesin për paraqitjen e tij, ndërsa pas asaj, në media qarkulloi lajmi për një ofertë të Tiranës ndaj tij. Por tani, një tjetër lajm merkatoje lidhet me Eminin, dhe sipas “Panorama Sport”, këtë herë është Partizani që është hedhur në sulm për tetovarin. Humbja e rastit në fund të ndeshjes me Austrinë e Vjenës, sipas gazetës është shoqëruar me kritika të shumta ndaj sulmuesit, dhe klubi i kuq kërkon që të shfrytëzojë këtë moment.
Por nga na tjetër është drejtori Dervishi që e mohon largimin e Eminit: “Më vjen keq që mendohen dhe thuhen gjëra të tilla, pasi te Kukësi nuk ndodh që një lojtar të largohet se humbi një rast apo goditi shtyllën. Është gjynah që dalin llafe të tilla. Emini u prek shumë pas atij rasti dhe pas ndeshjes ka qarë si fëmijë. I kam hedhur dorën në qafë, pasi ai tani ka nevojë për mbështetje pasi është poshtë moralisht dhe psikologjiskëshit. Jam i bindur që do shënojë në ndeshjen e kthimit. Ai nuk largohet nga Kukësi. Pas ndeshjes të gjithë lojtarët e kanë mbështetur atë”, deklaron ndër të tjera Dervishi.
(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)
