SHKODER – Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Altin Qato dje deklaroi se Shkodra është një ndër qarqet më problematike në vend për sa i përket kultivimit të hashashit.

Gjatë një takimi të organizuar me drejtuesit vendorë për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike, Qato tha se “dua të përcjell vendosmërinë e qeverisë shqiptare për goditjen e këtij aktiviteti kriminal në të gjithë territorin e vendit. Duhet ta heqim nga harta gri vendin tonë. Shkodra zë 35% të totalit të bimëve të asgjësuara ose të identifikuara. Është qarku me riskun më të lartë dhe ka një tendencë rritjeje sa i përket kultivimit të kanabisit, dhe kjo është një arsye që na shqetëson shumë. Ndërsa, raporti i zbulueshmërisë është tepër i ulët”.

Ndërkohë, numri dy i Policisë së Shtetit pohoi se duhet të rritet bashkëpunimi mes policisë dhe krerëve të njësive vendore në luftën kundër kultivimit të drogës.

“Punonjësi i policisë e ka për detyrë të bashkëpunojë, e në rast se konstatohet e kundërta, atëherë do të çohet për kallëzim penal çdo polic apo pushtetar vendor”, u shpreh Altin Qato.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: