Njeriu më i kërkuar në Meksikë dhe udhëheqësi i kartelit brutal të drogës Jalisco New Generation Cartel (CJNG), Nemesio Oseguera Cervantes, i njohur si “El Mencho”, u vra gjatë një operacioni për kapjen e tij, sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Meksikës. Sipas autoriteteve, ai vdiq të dielën pasi u plagos rëndë në përleshjet midis forcave të ushtrisë meksikane dhe njerëzve të kartelit të tij.

Nga fëmijëria e varfër te maja e krimit të organizuar
Nemesio Oseguera Cervantes ishte një nga figurat më të njohura dhe më të frikshme të krimit të organizuar në Meksikë. I lindur në një familje të varfër fermerësh në shtetin e Michoacán, ai kaloi një fëmijëri duke kultivuar avokado së bashku me pesë vëllezërit dhe motrat e tij.

Ai la shkollën në moshë të re dhe, sipas raportimeve, filloi të kultivonte marihuanë që në moshën 14-vjeçare. Në vitet 1980, ai u zhvendos në Shtetet e Bashkuara si emigrant pa dokumente. Gjatë qëndrimit atje, u përball me disa arrestime dhe u përfshi në rrjetet e trafikut të drogës në Kaliforni. Rreth moshës 30-vjeçare u deportua në Meksikë, ku hyri në radhët e kartelit Milenio, një organizatë kriminale që vepronte në Michoacán. Fillimisht ishte pjesë e skuadrës së vrasjeve të kartelit, duke mbrojtur bosin e drogës Armando Valencia Cornelio, i njohur si “El Maradona”.

Pas shpërbërjes së kartelit Milenio, nga mbetjet e tij u formua CJNG nën drejtimin e El Mencho-s. Ai zbatoi një strategji agresive për zgjerimin territorial dhe diversifikimin e aktiviteteve të paligjshme, duke e kthyer organizatën në një nga forcat kriminale më dominuese në Meksikë. Karteli i tij përfitoi gjithashtu nga dobësimi i rivalëve, përfshirë rënien e Sinaloa Cartel pas ekstradimit në SHBA të udhëheqësit të tij, Joaquín Guzmán, i njohur si “El Chapo”.

El Mencho ishte i martuar me Rosalinda González Valencia dhe çifti kishte tre fëmijë. Djali i tij më i vogël, Rubén Oseguera González, i njohur si “El Mencito”, konsiderohej si numri dy në strukturën e kartelit të të atit. Vrasja e tij pritet të ketë pasoja të mëdha për balancat e pushtetit brenda botës së krimit të organizuar në Meksikë dhe mund të shkaktojë një valë të re përplasjesh për kontroll territorial.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb