TIRANË- Ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro ka qenë sot në studion e News24 në rubrikën “Opinion” ku ka folur për turizmin dhe risitë e këtij viti. Kumbaro u shpreh entuziaste për këtë sezon që siç tha ajo i ka kaluar pritshmëritë për nga fluksi i pushuesve. Ndër të tjera Ministrja e Kulturës tha detaje për projektet e reja, si ai për Galerinë e Arteve që merr një tjetër emër.
“Sivjet kemi bum turistësh, e kemi thënë që katër vite por sivjet është përtej parashikimeve. Jemi përpjekur të organizohemi ndryshe këtë vit, e para me paketa të plota udhëtimi por edhe me itinerare siç është ‘Rrugët e besimit’ apo itinerarin e kujtesës. Janë objektet e kultit, si të besimit katolik, ortodoks e mysliman që bëhen pjesë e tureve. Numri i objekteve të kultit që kemi restauruar vitet e fundit është i madh.
Kemi krijuar itinerarin e ‘Rrugëve të besimit’, si në Korçë, ku ka një numër të madh kishash në Voskopojë etj. Është dhe itinerari i kujtesës. Po kthejmë kujtesën në vende të vizitueshme. Muzeu i gjethit është një stacion i rëndësishëm. Jemi duke punuar për Spaçin.
Jemi duke përgatitur termat e referencës për të bërë muzealizimin e sitit. Do jetë objekt shtetëror, sit muzeal kombëtar për t’i dhënë rëndësinë Spaçit si një vend i vizitueshëm që në fakt për shkak të largësisë e terrenit kërkon shumë punë.
Përmes sistemit të sinjalistikës do ta ndërtojmë. Kemi ngritur një grup pune me ndërkombëtarët dhe organizatën ‘Trashëgimia Kulturore pa Kufi’. Kemi objekte të tjera të diktaturës në Gjirokastër. Sigurisht që kërkon punë t’i hapim”, tha Kumbaro, raporton “BalkanWeb”.
Ajo deklaroi se Galeria e Arteve kërkon riorganizim, duke i dhënë përgjigje dyshimeve nëse do të preket ky objekt pas Teatrit Kombëtar.
“Muzeu Kombëtar përgatit për një periudhë rehabilitimi. Brenda vitit do kemi projektin e ri për të kaluar më tej në zbatim. Galeria Kombëtare e Arteve merr emrin e ri Muzeu Kombëtar i Arteve të Bukura. Ka një fond të jashtëzakonshëm të veprave qoftë të para 100 viteve, qoftë të realizimit socialist. Godina është mjaft e amortizuar, kërkon riorganizim. Kemi projektin e radhës. Galeria Kombëtare ka statusin monument kulture dhe me ligj ajo nuk preket por rehabilitohet. Do të ketë një koncept të ri bashkëkohor dhe do të ketë teknologji moderne.
Ndërtuam 4 muze në mandatin e kaluar, besoj që të gjitha institucionet e mëdha kombëtare janë në listë sepse që kur janë ndërtuar nuk janë prekur”, u shpreh ministrja.
Duke shkuar në Jug, Kumbaro tha se Dhërmiu dhe Vunoi janë dy qendra historike në restaurim. “Janë 500 objekte, po rregullojmë rrugët, ndriçimin por kemi hyrë dhe në objektet private për t’u dhënë vlerë”, u shpreh ajo.
Në lidhje me Teatrin Kombëtar, Kumbaro foli për projektin duke theksuar se nuk është përfundimtar.
“Teatri Kombëtar besoj që nuk ka asgjë që nuk dihet. Ky është një koncept projekt. Projekti i zbatimit vjen më pas pas të gjitha diskutimeve. Do i lëmë komisionit të bëjë punën e vet, në radhë të parë të respektohen procedurat ligjore dhe afatet”, tha ajo.
Lidhur me mundësinë që Presidenti mund të mos e dekretojë ligjin, Kumbaro u shpreh se çdo gjë është pjesë normale e demokracisë, e punës në shtet.
Një tjetër pyetje nga gazetarja Ola Bruko për ministren ishte se si ndihet kur shikon artistët që lotojnë.
“Unë vij nga ajo botë dhe do ta mbyll punën në atë botë. Mirëkuptoj të gjitha format e protestës si përmes të bërtiturave e lotëve por jo përmes fyerjeve e përbaltjes. Lotët janë më shumë dinjitozë. Është çështje komunikimi. Kemi pasur një numër të madh artistësh që ndoshta nga mosmarrja e informacionit të duhur, gjithmonë e më shumë dialogojnë dhe fyerjet e sharjet i zëvendësojnë me mirëkuptim. Unë nuk kam refuzuar të pres të gjithë aktorët e artistët. Unë i kam pritur aktorët, ose një përfaqësi në zyrën tim, ashtu sikurse i ftuam edhe në Kryeministri”, tha Kumbaro.
Ndërsa pyetjes se çfarë e bëri Robert Ndrenikën të ndryshonte mendim, Kumbaro iu përgjigj: Pyesni atë por komunikimi nuk ka reshtur në asnjë moment.
(m.k/BalkanWeb)